2012-04-23 15:59:44

Ipeshkvijtë e SHBA në Vatikan: Është një çast vendimtar për Kishën amerikane.


Që prej tri ditësh, prelatët e Zonës XII të SHBA janë për vizitë ‘ad Limina’, në Vatikan. Edhe sot paradite, Benedikti XVI priti një grup të madh prej tyre në audiencë. Pyetëm ipeshkvin e Oklandit, imzot Joseph Cordileone, për gjendjen baritore dhe shoqërore të Kishës amerikane, para sfidave e kundërshtimeve, siç është për shembull, njohja nga ana e shtetit e martesave gay, në kundërshtim të plotë me ndërgjegjen e katolikëve amerikanë:
Përgjigje: - Jemi bashkë, jemi të bashkuar! Mendoj se ky është çasti më vendimtar për SHBA e për jetën e Kishës katolike në SHBA. E kjo i nxit fuqimisht ipeshkvijtë dhe njerëzit, të cilët janë me ta, që të gjithë ta kuptojnë ç’po ndodh. Për shumë vjet, ipeshkvijtë e liderët e Kishës kanë qenë të gatshëm të bashkëpunojnë, me vullnet të mirë, edhe atje ku vërenin aspekte të politikës, me të cilat nuk ishin njëmendjeje, gjithnjë të gatshëm për të punuar sa më mirë, që ishte e mundur. E gjithë kjo, pastaj, i kaloi kufijtë – kufij tashmë të papranueshëm - sepse qeveria nisi të ndërhyjë në punët e brendshme të Kishës. Madje pretendon të na imponojë zërin e saj, edhe në kundërshtim me ndërgjegjen tonë morale. Ajo, që ne dëshirojmë të bëjmë, është vetëm t’i shërbejmë vendit tonë, bashkësive tona, sipas ndërgjegjes sonë. E ajo, që na thotë ndërgjegjja të bëjmë, nuk lëndon asnjeri. Përkundrazi, është plotësisht në dobi të të gjithëve.

Pyetje: - Pas disa muajve do të fillojë kremtimi i Vitit të Fesë. Ati i Shenjtë deshi, e jo rastësisht, që ky Vit të kremtohet në mbarë Kishën, në përkim me 50-vjetorin e Koncilit II të Vatikanit. Si po përgatitet dioqeza e Oklandit për këtë Vit?

Përgjigje: - I kemi nisur takimet në këtë drejtim. Vetëm një ditë para se të nisesha për në Romë, u takova me Këshillin meshtarak; e kjo ishte pika e parë e kalendarit të veprimtarive. Krijuam një Komitet, që do të studiojë mundësitë e ndryshme e këshillat e ndryshme, që kanë ardhur nga Kongregata për Doktrinën e Fesë. Kujtova se sivjet përkujtohet edhe 20-vjetori i Katekizmit të Kishës Katolike për SHBA, hartuar disa vjet më parë nga Konferenca e ipeshkvijve katolikë amerikanë. Çdo kapitull përfundon me historinë e njërit nga katolikët e mëdhenj amerikanë. Tregohen histori, që i kuptojmë më mirë, sepse tonat. Janë dëshmi e secilit nga ne e na bëjnë ta vlerësojmë edhe më mirë mbarë historinë e Kishës Katolike në SHBA: me ndërhyrjen e emigrantëve e me të gjitha ndërtesat e infrastrukturat, që kanë realizuar; me forcën e fesë së tyre e me kontributin, që i kemi dhënë SHBA-ve, pa harruar edhe përfitimet, jo të pakta, që kemi pasur prej këtyre shteteve. I gjithë mësimi i Koncilit mbi lirinë fetare – e dimë - bazohet mbi përvojën amerikane. Emigrantët e këtij vendi, në fillim kaluan çaste shumë të vëshira, në përpjekjen për t’u integruar; e ne nuk bëjmë përjashtim. Në pëfundim ia dolëm mbanësh të gjejmë mënyra për të qenë katolikë, në një vend të frymëzuar nga ethosi protestant. Pikërisht falë lirisë fetare e respektimit të saj, që çdo njeri e shikonte si detyrë themelore, Kisha mundi të ecë me sukses përpara.







All the contents on this site are copyrighted ©.