2012-04-25 12:29:27

19-vjetori i Gjon Palit II në Shqipëri


Sot më 25 prill, shënojmë 19-vjetorin e Gjon Palit II në Shqipëri. 19 vjet më parë Papa Gjon Pali II vizitonte Shqipërinë, vendin e parë në Ballkan, duke u ndaluar në Shkodër dhe në Tiranë. Gjatë vizitës apostolike, i Lumi Karol Wojtila i dhuroi Kishës katolike shqiptare të martirizuar hierarkinë e re të pasdiktaturës komuniste me katër ipeshkvij të rinj: imzot Frano Illinë, imzot Rrok Mirditën, imzot Robert Ashtën dhe imzot Zef Simonin.
I Lumi Gjon Pali II kapi kështu rrugën për ringjalljen e Kishës katolike shqiptare dhe mbështeti udhën e përuruar të lirisë, të demokracisë e të përparimit të vërtetë njerëzor, shpirtëror e shoqëror. Sivjet në këtë përvjetor të vizitës papnore të të Lumit Gjon Palit II në Shqipëri, po kujtojmë një ndër porositë e tij drejtuar të gjithë shqiptarëve nga katedralja e Shkodrës, në ditën e paharruar të 25 prillit 1993:
"Kjo është dita e falur prej Zotit, ditë gëzimi, e ipeshkvi i Romës erdhi ta kremtojë së bashku me ju. Ipeshkvi i Romës për shumë vjet është lutur për ju, së bashku me gjithë Kishën….. E sot Pasardhësi i Shën Pjetrit… përsërit para Jush, që jeni mbledhur këtu, para Shqipërisë, Evropës, para Kishës universale e para mbarë botës: "Përvoja juaj e vdekjes dhe e ringjalljes i përket gjithë Kishës dhe gjithë botës.
Çdo njeri duhet të reflektojë rishtas mbi gjithçka lidhet me Jezusin, që u dënua me vdekje dhe u kryqëzua dymijë vjet më parë.
Duhet të reflektojë edhe mbi çka ju ngjau ju gjatë disa dhjetëvjeçarëve të shekullit XX! Është e drejtë të shikosh përpara për të rindërtuar një ardhmëri të lirë, me fytyrë njerëzore, por përvoja e kaluar nuk duhet harruar, për të shmangur përsëritjen e të njëjtave gabime të një periudhe shumë të mjerueshme… të paparë në rrjedhën e historisë…
Nuk duhet harruar ç'ka ngjarë… nuk duhet harruar"!







All the contents on this site are copyrighted ©.