2012-05-30 17:17:00

Imzot Beçiu: akt imoral botimi i dokumentave. Kardinali Komastri: në Vatikan ka dialektikë, jo luftë.


Benedikti XVI është i pikëlluar, por njëkohësisht edhe plot keqardhje për njeriun që ka gisht në këtë ngjarje të trishtuar. Gjithsesi kjo nuk e përjashton faktin se botimi i letrave, marrë nga shkritorja e Atit të Shenjtë e botuar në shtyp, është një akt imoral, një ngjarje e pashembullt, që peshon tepër rëndë”. Këtë pohon zëvendës-sekretari i Sekretarisë së Shtetit, kryeipeshkvi Anxhelo Beçiu, në një bisedë me drejtorin e ‘L’Osservatore Romano’, Giovanni Maria Vian, botuar në të përditshmen e Selisë së Shenjtë.
Imzot Beçiu pohon se jo vetëm që janë vjedhur letrat e Papës, por është dhunuar edhe ndërgjegjja e njerëzve, që i drejtohen si mëkëmbës i Krishtit, në një kontekst besimi të plotë e me bindjen se fshehtësia është plotësisht e garantuar. Atyre që e përligjin botimin e dokumenteve mbi bazën e kritereve të transparencës, kryeipeshkvi u jep përgjigjen se ‘sofizmat nuk të çojnë shumë larg”. Prindërit e mi, pohon, më kanë mësuar jo vetëm të mos vjedh, por edhe të mos i pranoj gjërat e vjedhura nga të tjerët. Gazetarët, njëherësh me detyrën për të treguar atë që po ndodh, nënvizon, do të duhej të kishin edhe një fërgëllimë sado të vogël etike, domethënë, guximin të distancoheshin haptazi nga nisma e kolegut të tyre, të cilën nuk ngurroj ta quaj kriminale.
Përveç kësaj, shton prelati, pas disa artikujve, ndjehet fort hipokrizia më e ultë. Nga njëra anë akuzohet karakteri absolutist e monarkik i qeverisjes qëndrore të Kishës, nga ana tjetër, shkruesit skandalizohen pse disa, duke i shkruar Papës, shprehin idetë e tyre, duke bërë edhe vërejtje lidhur me organizimin e vetë qeverisjes. Shumë nga dokumentet e botuara nuk zbulojnë beteja e hakmarrje, por pikërisht lirinë e mendimit, për të cilën flitet në artikujt, duke theksuar se Kisha nuk e lejon. E atëherë, ku është shkandulli? Kushti i dëgjesës nuk e përjashton mundësinë për të dhënë gjykimin tënd. Kështu nga mjetet e komunikimit del një figurë e deformuar e Selisë së Shenjtë.
Lidhur me këtë ngjarje, ndërhyn edhe mëkëmbësi i Papës për Qytet–Shtetin e Vatikanit, kardinali Anxhelo Komastri, në një intervistë, dhënë gazetës italiane ‘Messaggero”, në të cilën pohon: “Lexohen përshkrime, që nuk janë tjetër, veçse fantazi. Ndërmjet nesh nuk ka intriga të errëta, që ndokush dëshiron t’i bëjë të besueshme. Ka, natyrisht, dialektikë. Mund të ketë mendime të ndryshme, Zoti nuk na bëri fotokopje të njëri-tjetrit, por, pavarësisht nga kjo larmi mendimesh, të gjithë kardinajtë e duan Zotin me gjithë vetveten, me gjithë zemër e me gjithë shpirt. Kuptohet vetvetiu se pas këtyre ngjarjeve fshihet një plan, që synon ligështimin e Kishës. Po Kisha është mësuar të ecë përpara në mes vringëllimave të luftërave. A nuk nisi historia e saj me një kryqëzim? Aventura e krishterë, përfundon kardinali Komastri, lindi nga tradhtia e Judës e nga mohimi i Pjetrit. Udha e Kishës nuk është triumfale, por dramatike, udhë në të cilën ndeshen vazhdimisht e mira me të keqen, me bindjen e plotë se Krishti u ngjall, se Krishti fiton!







All the contents on this site are copyrighted ©.