2012-06-14 17:23:57

Takohen në Vatikan, kardinali Levada dhe Eprori i Vëllazërisë së Shën Piut X


Pasditen e djeshme, Prefekti i Kongregatës për Doktrinën e Fesë, kardinali Uiliam Levada u takua me Eprorin e Përgjithshëm të Vëllazërisë Meshtarake Shën Piu X, imzot Bernard Felaj, në praninë e autoriteteve të tjera kishtare. Ndjekësit e kësaj Vëllazërie njihen si “lëfevrianë”, nga emri i themeluesit të tyre. Objekti i takimit ishte paraqitja e vlerësimeve të Selisë së Shenjtë për tekstin e dorëzuar nga Vëllazëria në muajin prill, si përgjigje ndaj Preambulës doktrinale të Kongregatës për Doktrinën e Fesë, ku shpreheshin kërkesat për rihabilitimin e lëfevrianëve dhe përfshirjen e tyre në gjirin e Kishës Katolike. Imzot Felaj, pas sqarimeve, theksoi se Vëllazëria do t’u përgjigjet sa më shpejt të jetë e mundur vërejtjeve të Vatikanit. U hartua edhe një dokument, akoma i pamiratuar, me të cilin propozohet forma e Prelaturës Personale si mjeti më i përshtatshëm për njohjen zyrtare të Vëllazërisë së Shën Piut X nga ana e Selisë së Shenjtë.







All the contents on this site are copyrighted ©.