2012-06-28 14:09:47

Të dielën në Ungro shugurimi i ipeshkvit të ri arbëresh imzot Donato Oliverio.


Të dielën më 1 korrik, në Katedralen e Shën Nikollit, në Ungro të Kalabrisë, bëhet shugurimi (kirotonia) ipeshkvnor i imzot Donato Oliverio, ipeshkëv i ri i Eparkisë arbëreshe të Ungros. Liturgjinë Hyjnore të shën Gjon Gojartit e ritin e shugurimit ipeshkvnor e kryeson ipeshkvi arbëresh në pension, imzot Ercole Lupinacci. Bashkësia e krishterë arbëreshe është në festë për këtë dhuratë të çmuar bariut të ri shpirtëror e falënderon Hyjin me himne lavdi. Kujtojmë se Arkimandriti arbëresh Donato Oliverio u emëruar nga Papa Benedikti XVI ipeshkëv i ri i Ungros më 12 majin e këtij viti, e është ipeshkvi apo Eparku i katër i Kishës dioqezane arbëreshe të Ungros, e cila është e riti bizantin kishtar. Udhëheqja shpirtërore e kishtare e Eparkisë së Ungros është një mision i rëndësishëm nga pikëpamja shpirtërore, kishtare dhe kombëtare arbëreshe, e kështu e ipeshkvi ri arbëresh vihen në vazhdimësinë e traditës së ritit kishtar bizantin e në ruajtjen dhe kultivimin e traditave kombëtare të parëve të arbëreshëve, siç thekson edhe prifti arbëresh, arkimandriti Papas Antonio Belushi në mikrofonin e Programit Shqip të Radio Vatikanit. Ta dëgjojmë mbi rëndësinë e shugurimit të ipeshkvit të ri arbëresh të eparkisë së Ungros.....RealAudioMP3

Kujtojmë se ipeshkvi i ri arbëresh i dioqezës arbëreshe të Ungros së Kalabrisë, arkimandriti Donato Oliverio, ka lindur më 5 mars 1956, në Kozencë, më 1969 ka hyrë në seminarin Shën Bazili të Kozencës e pastaj në atë të Grottaferratës, ku kreu maturën klasike. Si student i kolegjit Papnor Grek të Shën Atanazit në Romë, ka kryer studimet filozofike e teologjike pranë Universitetit Papnor Angelicum. Pranë Institutit Papnor Lindor ka bërë studimet e specializimit në shkenca kishtare lindore. Më 17 tetor 1982 është shuguruar prift dhe emëruar famullitar i Kishës së Shën Jozefit në fshatin Marri e një vit më vonë drejtor i zyrës katekistike dioqezane, detyrë të cilën e kreu deri më 2003. Nga viti 1988 deri më 2003 ka qenë sekretar i Institutit të shkencave fetare të Ungros. Nga viti 1993 është anëtar i këshillit presbiterial të kësaj dioqeze arbëreshe. Ka qenë sekretar i përgjithshëm i Sinodit ndërdioqezan apo ndëreparkial të arbëreshëve. Nga viti 1998 është ekonom eparkial. Nga 2002-2003 ka qenë moderator i kuries dioqezane e protosincello; nga 2003 deri më 2010 protosincello e deri më sot delegat ad omnia i dioqezës së Ungros, kur qe emëruar administrator apostolik, kryeipeshkvi imzot Salvatore Nunnari. Është kujdesur për botimit italian të leksionarit ‘Apostolos’, ka botuar shumë artikujt katekizmi e ikonologjie.







All the contents on this site are copyrighted ©.