2012-10-26 19:34:20

Ekspozitë në Tiranë Nënë Tereza. Vajza me emrin Gonxhe”


Me rastin e 9-vjetorit të Lumturimit të Nënë Terezës në Vatikan, në Tiranë hapet një ekspozitë kushtuar jetës të së Lumes shqiptare, përmes objekteve dhe një rrugëtimi shpirtëror. “Nënë Tereza. Vajza me emrin Gonxhe”, kështu titullohet ekspozita që ditë më parë hapi në Tiranë fondacioni kulturor “Nënë Tereza” në përvjetorin e nëntë të lumturimit të saj.
Promovimi i vlerave, dinjitetit njerëzor, liria, barazia dhe solidariteti, që mishëroheshin te Nënë Tereza, është qëllimi kryesor i kësaj ekspozite. Në të paraqiten objekte që i përkisnin familjes, veshje, orendi nga vendi i origjinës së Nënë Terezës, fotografi, dorëshkrime e filmime, të cilat tregojnë jetën e humanistes që nga fëmijëria, prejardhja e saj shqiptare, deri te misioni i saj në Indi dhe në mbarë botën.
“Jam e bindur që pasi ta kemi vizituar këtë ekspozitë kushtuar Nënë Terezës do të ndihemi më mirë, do të mendojmë si ajo, do duam si ajo, do shpresojmë si ajo. Ekspozita besoj se vlerën e madhe e ka jo vetëm në përkujtimin e saj, por në mesazhet që ajo përçoi gjatë një jete dhe që janë të dobishme e të domosdoshme gjithmonë e më shumë në shoqëri, e të cilat me shumë dashuri duhet t’i transmetojmë te brezi i ri”, u shpreh në hapjen e ekspozitës themeluesja e fondacionit “Nënë Tereza”, Liri Berisha, duke bërë apelin që kushdo të ofrojë ndihmë për dikë që ka nevojë. Në këtë ekspozitë është paraqitur edhe projekti i Memorialit të Nënë Terezës. Ekspozita do të qëndrojë e hapur për vizitorët deri në 28 tetor, në Galerinë Kombëtare të Arteve në kryeqytet.







All the contents on this site are copyrighted ©.