2012-11-09 15:53:51

Impenjimet e ardhshme të Papës: Koncistori, kremtimet e Krishtlindjes dhe vizita në një famulli romake.


Nga Koncistori i ardhshëm i 24 nëntorit, tek përfundimi i Javës së Lutjes për bashkimin e të krishterëve, më 25 janar 2013. Janë të shumënumërta impenjimet, që e presin Benediktin XVI, posaçërisht gjatë dhjetorit, muaj i ngarkuar me kremtimet e Krishtlindjes e të Vitit të Ri. Kalendari papnor u bë i njohur sot, nga Mjeshtri i Kremtimeve Liturgjike.

Pas pesëmbëdhjetë ditësh, më 24 nëntor, Kolegji kardinalor do të pasurohet me gjashtë anëtarë të rinj, siç njoftoi vetë Papa, në përfundim të audiencës së përgjithshme të 24 tetorit të kaluar.
Ndërsa më 25 nëntor, në orën 9.30, në Shën Pjetër, kardinajtë e rinj do të kremtojnë Meshën, së bashku me Papën. Do të jenë këto, impenjimet e para me rëndësi të Atit të Shenjtë, në përfundim të këtij muaji, prelud i dhjetorit, tradicionalisht i ngarkuar me të kremte e kremtime.
Të shtunën, më 1 dhjetor, vigjilje e së Dielës së parë të Kohës së Ardhjes, Benedikti XVI do të takohet, në Bazilikën e Vatikanit, në orën 17.30, me universitarët romakë, për të kremtuar, së bashku me ta, Lutjet Mbrëmësore.
8 dhjetor, në orën 16.00, do të jetë në Sheshin e Spanjës, për të nderuar shtatoren e Zojës së Papërlyer në ditën e solemnitetit marian. Prej këndej, para atmosferës tejet festive të afrimit të Krishtlindjes, Ati i Shenjtë do të takohet me besimtarët e famullisë romake të Shën Patrikut, në Kodrën Prenestine, ku do të kryesojë Meshën, në orën 9.30.

Arrijmë, kështu, tek Mesha e mesnatës së Krishtlindjes, 24 dhjetor. Benedikti XVI do ta kryesojë, duke nisur nga ora 22.00, ndërsa të nesërmen, në orën 12.00, do të japë bekimin Urbi et Orbi-Romës e Botës, nga lozha qëndrore e Bazilikës së Shën Pjetrit.
E, katër ditë më pas, të shtunën, 29 dhjetor, në orën 18.00, Sheshi i Shën Pjetrit do të jetë përsësi plot me djem e vajza, pjesëmarrës në takimin vjetor evropian të të rinjve, organizuar nga Bashkësia e Tezesë: mes tyre, Papa do të kryesojë një çast lutjeje.
E në sa viti 2012 do të jetë duke numëruar orët e fundit, më 31 dhjetor, në orën 17.00, në Shën Pjetër, Papa do të kremtojë Te Deum, ndërsa në orën 9.30 të 1 janarit 2013, do të kryesojë Meshën Shenjte, gjithnjë në Bazilikën e Vatikanit, në Solemnitetin e Nënës së Zotit, kur do të kremtohet edhe Dita e 46-të Botërore e Paqes.
Të shtunën, më 6 janar, festa e Dëftimit të Zotit, Benedikti XVI do të kryesojë Meshën Shenjte në Shën Pjetër, duke filluar nga ora 9.30.
Të dielën pasuese, këtë herë nën qemerin 500-vjeçar të Kapelës Sikstine, Papa do të pagëzojë disa fëmijë.Impenjimi i fundit, në mbarim të janarit, me karakter ekumenik, do të jetë kremtimi i Lutjeve Mbrëmësore në Bazilikën e Shën Palit jashtë Mureve të Romës, në orën 17.30, ditë me të cilën përfundon edhe Java e Lutjes për bashkimin e të krishterëve.







All the contents on this site are copyrighted ©.