2012-12-10 10:16:27

Afër një milionëshit ndjekësit e Papës në Twitter. Koment i atë Federiko Lombardit


Kaloi një javë nga regjistrimi i Papës Benedikti XVI në rrjetin shoqëror Twitter e numri i ndjekësve të tij në internet po e kalon një milionëshin. Të shumtë janë ata, që i kanë shkruar Atit të Shenjtë. Mjaft prej “tweet”-eve janë pozitive, ose i bëjnë Papës pyetje, të tjera janë negative e disa, edhe ofenduese. Fakti është që prania e Benediktit XVI në internet zgjoi një interes botëror, siç komenton plot fantazi letrare zëdhënësi i Vatikanit, atë Federiko Lombardi:
Twittatori i ri doli në kontinentin dixhital për të twittuar. Disa banorë të kontinentit thanë: “Ç’bën këtu ky i infiltruar? Në këtë fushë, vetëm ne e dimë çfarë dhe si duhet twittuar!”. U tallën dhe i kthyen krahët. Banorë të tjerë thanë: “Interesante, argëtuese! Të shohim nëse do të ketë më tepër ndjekës se VIP-at e tjerë, më tepër se aktorët e futbollistët”. Diskutuan mjaft për numrat, por nuk menduan se çfarë thoshin “tweet”-et, prandaj pas pak kohe e harruan atë punë. Të tjerë thanë: “Sa mirë! Dikush shqetësohet të na thotë gjëra, që i konsideron të rëndësishme për secilin prej nesh. Do të kemi kujdes për të parë e dëgjuar e, me gjithë qejf, do t’ua dërgojmë këto mesazhe miqve në Twitter”. E kështu, “tweet”-et sollën fryte e u shumëzuan me 30, me 60, me 100… Kush ka veshë, le të dëgjojë.
140 shkronja – aq mban një “tweet” – nuk janë pak. Pjesa më e madhe e verseteve të Ungjillit nuk ka aq shkronja; lumnitë, për shembull, janë më të shkurtra. Pak sintetizim nuk bën keq. Prej shekujsh e dimë se kur dëgjon një fjalë të Jezusit në mëngjes, të hyn në mendje e në zemër e të shoqëron gjithë ditën…. ose gjithë jetën.
Por, duhet kuptuar pse është e rëndësishme kjo fjalë, nga vjen e ku shkon, në ç’kontekst të jetës merr kuptim. Pra, “tweet”-i në vetvete nuk sjell automatikisht jetën. Vërtet, ai mund të pritet me entuziazëm, ose të refuzohet krejtësisht. Fara bie mbi gurishte, në mes të ferrave të paragjykimeve negative e i zihet fryma, por bie edhe mbi tokën pjellore e, kështu, sjell fryte e shumëfishohet.
Natyrisht, bota nuk do të shpëtojë nga një “tweet”, por ndër një miliard të pagëzuarit katolikë dhe ndër shtatë miliard banorët e botës, disa miliona njerëz mund ta ndjejnë Papën më afër, edhe përmes kësaj udhe, mund të dëgjojnë një fjalë për ta, një shkëndijë urtie për ta mbajtur në mendje e në zemër e për ta ndarë me miqtë e Twitter-it. Është shërbim i ri ungjillor.







All the contents on this site are copyrighted ©.