2012-12-13 14:21:47

Krishtlindja me Papën: “Lindja virgjërore- mit apo e vërtetë historike?”.


Në emisionin e tetë të rubrikës “Krishtlindje me Papën” arrijmë tek një nga argumentet më të mprehta, që trajtohen në veprën “Fëmijëria e Jezusit”. Benedikti XVI i jep përgjigje pyetjes “Lindja virgjërore, është mit, apo e vërtetë historike?”.
Duhet të pyesim me gjithë seriozitetin e mundshëm, shkruan: ajo që dy ungjilltarët, Mateu e Luka, e tregojnë në mënyra të ndryshme e mbi bazën e traditave të ndryshme mbi zënien e Jezusit për virtyt të Shpirtit Shenjt në kraharorin e Virgjërës Mari, është realitet historik, ngjarje e vërtetë historike, apo legjendë, që e shpreh dhe e shpjegon në mënyrën e vet misterin e Jezusit?
Për t’i dhënë me gjithë seriozitetin e duhur përgjigje kësaj pyetjeje, Papa Ratcinger niset sidomos nga Eduardo Norden (vdekur në vitin 1941) dhe Martin Dibelius (vdekur në vitin 1947), të cilët u përpoqën ta përshkruajnë rrëfimin e lindjes virgjërore të Jezusit, duke u mbështetur mbi historinë e feve, që nga Egjipti i lashtë, ku flitej për zënien virgjërore të faraonëve, për të përligjur, pastaj, kultin e sovranit, teologji politike, kjo, që përpiqej të hyjnizonte mbretin.
E pas filozofëve modernë, duke qëndruar gjithnjë në Egjipt, Papa zbret tek Filoni i Aleksandrisë (vdekur në vitin 40 pas Krishtit), që pohon se bijtë e Patriarkëve vinin nga farë hyjnore, gjë që, shpjegon Papa, ka karakter thjesht alegorik. Në të nuk gjejmë kurrfarë paralelizmi me lindjen virgjërore të Jezusit. Ndërmjet rrëfimit të lashtë e zënies së Jezusit vërehet një ndryshim themelor: në ungjijtë nuk ka kurrfarë konfuzioni, nuk duket kurrfarë gjysëm-perëndie. Fjala krijuese e Hyjit, vetëm për vetëm, krijon diçka të re. Jezusi, i lindur nga Maria, është plotësisht njeri e plotësisht Zot, pa konfuzion e pa ndarje, siç e saktëson Besojma e Kalçedonisë, në vitin 451.
Rrëfimi i Mateut e i Lukës nuk janë mite, të krijuara kohë më pas. Sipas konceptimit të tyre, burojnë nga tradita biblike e Hyjit krijues e shpërblyes. Duke shtjelluar lindjen virgjërore të Jezusit, Benedikti XVI ndalet edhe tek Bukoliket e Virgjilit, Poetit-profet, që ka shkruar 40 vjet para Krishtit, ku gjejmë vargjet: “Iam reditet et virgo”- tashmë kthehet virgjëra. Një brezni e re zbret nga qielli. Lind një foshnjë, me të cilën mbaron breznia e hekurit.
Papa rikthehet përsëri në rrëfimet biblike, nga Izaia, tek Mateu e Luka, gjithnjë duke bërë pyetjen themelore në se është e vërtetë ajo që themi ne në Besojmë: “Besoj në Jezu Krishtin… që u zu për virtyt të Shpirtit Shenjt, lindi nga Virgjëra Mari”?
Përgjigjja, pa asnjë ngurrim, është ‘po’, sqaron Benedikti XVI në librin “Fëmijëria e Jezusit”, e duke u mbështetur tek Karl Barth, kujton dy pikat kryesore në të cilat veprimi i Zotit ndërhyn në mënyrë të menjëhershme në botën materiale: lindjen e Jezusit nga Virgjëra dhe ngjalljen e Tij prej të vdekurve, daljen nga varri, ku nuk mbeti i kallur e i kalbur.
Pikërisht këto dy pika janë shkandull për botën moderne, pohon Papa Ratcinger. Mendimi modern e lejon Zotin të veprojë mbi idetë e mendimet, por jo mbi materien. Kjo i trazon mendimtarët modernë. Materia nuk ka vend për Zotin.
Por pikërisht kjo është çështja: Hyji është Hyj e nuk ka punë vetëm me botën e ideve. Në këtë kuptim, në të dyja pikat, kemi të bëjmë me qenien e tij Hyj prej Hyji. Prej këndej, pyetja: a i përket edhe materia?
Sigurisht, i përket. E kjo përgjigje nuk është as kontradiktore, e as jashtë arsyes. Pushteti krijues i Hyjit e rrok gjithë qenien. Prej këndej dy pikat, lindja virgjërore e të ngjallurit prej së vdekurve, janë gurë prove për fenë tonë.
Në se Hyji nuk ka pushtet edhe mbi materien, atëherë ai nuk është Hyj! Po ai e ka këtë pushtet e me zënien dhe ngjalljen e Jezusit, përuroi krijimin e ri. Prandaj zënia e lindja e Jezusit nga Virgjëra Mari janë elemente themelore të fesë sonë e shenjë e ndritshme shprese. Në emisionin e ardhshëm, shfletim i shpejtë i vijimit të librit “Fëmijëria e Jezusit”.








All the contents on this site are copyrighted ©.