Justin Rrota, personalitet dhe dijetar i shquar i kulturës shqiptare. Ky personalitet
i letrave shqipe, lindi në Shkodër, më 17 shkurt 1889 e vdiq po në Shkodër më 21
dhjetor 1964. Qe një studiues dhe lëvrues i shquar i gjuhës dhe i studimeve shqiptare.
Veprimtaria e tij shkencore rrok një periudhë gati gjysmëshekullore, duke kryer detyrën
si klerik, si një shkencëtar i mirëfilltë dhe mësues i gjuhës amtare. Rrota jetoi
i vetmuar për më shumë se 20 vjet, duke pritur vdekjen, i rraskapitur dhe i sëmurë
në një Kuvend të qytetit të Shkodrës, derisa ndërroi jetë, më 20 dhjetor 1964, në
moshën 75-vjeçare . Nga jeta... Justin Rrota, ky personalitet i letrave
shqipe, lindi në Shkodër, më 17 shkurt 1889, 120 vjet më parë. Qe një studiues dhe
lëvrues i shquar i gjuhës dhe i studimeve shqiptare. Veprimtaria e tij shkencore rrok
një periudhë gati gjysmëshekullore, duke kryer detyrën si klerik, si një shkencëtar
i mirëfilltë dhe mësues i gjuhës amtare. Rrota jetoi i vetmuar për më shumë se 20
vjet, duke pritur vdekjen, i rraskapitur dhe i sëmurë në një Kuvend të qytetit të
Shkodrës, derisa ndërroi jetë, më 20 dhjetor 1964, në moshën 75-vjeçare. Pjesa më
aktive e jetës së Rrotës qe e mbushur me veprimtari studimore dhe botuese, por duke
mos i parë të gjitha dorëshkrimet e botuara sa qe gjallë, siç ishte vepra madhore
“Gjuha e shkrueme”.
Justin Rrota mësimet e para i kreu në Shkodër, ndërsa
të lartën për teologji e ndoqi në Villach (Korincie) të Austrisë. Në moshën 22-vjeçare
shugurohet prift, duke shërbyer fillimisht si famullitar në Plan të Dukagjinit. Justin
Rrota kishte një kulturë filologjike klasike dhe moderne. Njihte disa gjuhë, si italishten,
frëngjishten, gjermanishten, sllavishten, por edhe disa gjuhë të vdekura, si greqishten
e vjetër dhe latinishten. Hierarkia kishtare françeskane, duke parë zgjuarsinë
e Rrotës e emëroi profesor në Troshan dhe pas vitit 1921 në gjimnazin “Illyricum”
në Shkodër. Por kleriku-profesor u shqua edhe si mësimdhënës i aftë, studiues i paepur
duke botuar artikuj dhe studime shkencore me pseudonimet Iris, Patër Ndou dhe Viator.
Fillimisht shkrimet e para Rrota i botoi në revistat “Zani i Shna Ndout” dhe “Hylli
i Dritës”, të cilat u përkasin disiplinave të gjuhësisë dhe të letërsisë. Është ndër
botuesit e parë të teksteve për shkollat e mesme. Në vitin 1940, Instituti i Studimeve
Shqiptare në Tiranë e zgjedh anëtar të tij në cilësinë e lëvruesit të gjuhës. Në periudhën
e mëvonshme, veprimtaria shkencore e Justin Rrotës bie, rrjedhojë e ardhjes në pushtet
të regjimit komunist dhe të sëmundjes së rëndë që e shqetësonte prej vitesh. Pas vitit
1990, me përmbysjen e regjimit në fuqi, puna e tij vlerësohet, duke i dhënë titullin
“Mësues i Popullit” (1994) me këtë motivacion: “Mësues i devotshëm e plot pasion.
Ka punuar me përkushtim, duke dhënë një kontribut të shquar si gjuhëtar dhe studiues”.
Një vit më vonë, në 1995 mori titullin tjetër “Punonjës i shquar i shkencës dhe i
teknikës”. Edhe Universiteti i Shkodrës “Luigj Gurakuaqi” e nderoi me titullin “Profesor
nderi” (1994). Veprimtaria shkencore dhe botuese Ajo përfshin disa
fusha dijesh, por kryesisht nga fusha e gjuhësisë dhe e letërsisë. Justin Rrota është
gjithashtu edhe hartues i disa teksteve mësimore. Një vëmendje të posaçme autori i
ka kushtuar studimit të gjuhës së Gjon Buzukut dhe autorëve të tjerë të vjetër. Ai
qe i pari që solli në Shqipëri fotokopjen e librit të parë shqip “Mesharit” të Gjon
Buzukut, 80 vjet më parë, 20 vjet pas rizbulimit nga Pal Skiroi dhe do të duheshin
edhe 40 vjet të tjera për të bërë transkriptimin e tij nga prof. Eqrem Çabej dhe për
ta botuar në 1968. Është pikërisht ky studiues, Eqrem Çabej, që do ta vlerësonte Rrotën
për kontributin e tij që ka dhënë për afirmimin e kësaj vepre, Sipas autorit, Rrota
“ka ndihmuar shumë ndër ne në përhapjen dhe në njohjen e këtij monumenti gjuhësor”.
Ky interesim i Justin Rrotës, që në atë kohë ishte 40 vjeç do të shoqërohet me
botimin e studimit “Monumenti ma i vjetër i gjuhës shqipe D. Gjon Buzuku 1555”, copa
të zgjedhuna e të komentueme për shkolla të mesme (Shkodër, 1930) të cilën e ribotoi
me pak ndryshime nga i pari, më 1938. Ndonëse si vëllim nuk është i madh, por Rrota
gjeti vend për të ngritur mjaft probleme të rëndësishme rreth autorit të “Mesharit”
dhe veprës, të cilat disa prej tyre, edhe sot nuk kanë gjetur zgjidhje të kënaqshme
dhe të pranueshme. Kësaj teme që Rrota e kishte për zemër i rikthehet edhe pas disa
vitesh, duke botuar shkrimin “Hulumtime dhe shënjime mbi Gjon Buzukun” (BSHSH e Tiranë,
1956, nr.3) dhe duke ngritur përsëri probleme të diskutueshme, por duke i mëshuar
përsëri asaj ideje të shprehur 20 vjet më parë se hartuesi i Mesharit “ka qenë prift
katolik shqiptar, një gegë autentik”. Për Justin Rrotën Gjon Buzuku qe një malësor
i Krajës, lokalitet i perëndimit të liqenit të Shkodrës, duke hedhur kështu poshtë
versionet e tjera për veprën dhe autorin e saj. Rrota, përmes një shkrimi të botuar
në revistën “Nëntori” (1955) e informon lexuesin për punën që bëri për fotografimin
për herë të parë të veprës së parë të gjuhës shqipe “Meshari”, duke sjellë në Shqipëri
tri kopje, të cilat u shërbyen studiuesve në punën e tyre për veprën e Gjon Buzukut.
Një vit para vdekjes, në BUSHT (1963, nr.2) botoi një shkrim të shkurtër me titull
“Pasthirmat buzukjane “hinje” dhe pjesëza toskënishte “tuke””. I hershëm ka qenë interesimi
për jetën dhe veprën e autorëve të vjetër. Në vëllimin “Shkrimtarët shqiptarë”, 1941
ai trajtoi këtu që nga dokumentet e para, duke vazhduar me Buzukun, Budin, Bardhin,
Bogdanin, Kuvendin e Arbënit etj. Studimi tjetër që u botua si vëllim më vete,
iu kushtua autorit të parë të letërsisë arbëreshe me titull “Shkrimtari ma i vjetri
i italo-shqiptarëvet, D. Luka Matrënga (1592)”, Shkodër, 1931, të cilën e ribotoi
8 vjet më vonë. Ndoqi atë metodë, siç veproi me “Buzukun dhe veprën e tij, duke e
shoqëruar me tekste dhe komente me shkrim. Studimet e Justin Rrotës për autorët e
vjetër dhe veprën e tyre e në veçanti për Gjon Buzukun, ruajnë në disa drejtime edhe
sot vlerat e tyre e duhet të merren në konsideratë. Për historinë e alfabetit
të gjuhës shqipe Një problem tjetër që e ka prekur dhe studiuar Justin Rrota
ka qenë ai i historisë së alfabetit të gjuhës shqipe. Një punë të tillë e nisi duke
botuar disa shkrime me këtë objekt në revistën “Hylli i Dritës” nga viti 1931-1936
dhe duke i përmbledhur në një vëllim më vete, në 1936 me titullin “ Për historinë
e alfabetit të gjuhës shqipe”. Kontributi i Justin Rrotës në këtë fushë ka qenë i
rëndësishëm dhe me vlerë duke hyrë në historinë e alfabetit të gjuhës shqipe si autori
i parë që botoi një histori të tillë. Qenë faktorë subjektivë dhe objektivë që e nxitën
për një vepër të tillë. Shkodra dhe patriotët e këtij qyteti ishin shquar në përpjekjet
e tyre për zgjidhjen e këtij problemi që nga gjysma e dytë e shek. XIX deri në Kongresin
e Manastirit (1908). Kjo bëri që nga 32 delegatët me të drejtë vote që morën pjesë
në Kongresin e Manastirit, 5 qenë nga Shkodra dhe secili prej tyre e në veçanti Gjergj
Fishta, Luigj Gurakuqi, Ndre Mjeda e Hilë Mosi u shquan për kontribute të veçanta
në Kongres, duke u zgjedhur në forume të rëndësishme të këtij tubimi. Dhe këtë traditë,
edhe sot, do ta vazhdojnë studiuesit shkodranë, duke botuar studime dhe monografi
me këtë temë. Justin Rrota nisi të shkruajë për këtë temë, për t’iu përgjigjur
dëshirës dhe interesit që kanë pasur shqiptarët e për ta zgjidhur çështjen e alfabetit
të njësuar të gjuhës shqipe. Autori e kishte fituar autoritetin e duhur si studiues,
prandaj edhe interesimi nuk qe i vogël, saqë edhe sot konsiderohet si një vepër me
vlerë shkencore. Ajo rrokte pesë shekuj, 22 autorë dhe shoqëri. Kjo nuk ishte një
punë e lehtë, mbasi do të merresh me sistemin grafik të tyre, shkronjë për shkronjë,
të veçoje vlerat, dobësitë dhe ndikimin. Një pune të tillë mund ta bënte një studiues
me një përgatitje të shëndoshtë filologjike. Studimi i Rrotës nuk qe i gjatë, por
ai vuri piketa të qarta për mjaft probleme të diskutueshme të historisë së alfabetit
të shqipes. Objekti i studimit ishte i qartë. Autori do ta fillonte punën me dokumentet
e para të shkrimit shqip dhe do ta vazhdonte deri me zgjidhjen përfundimtare të këtij
problemi në Kongresin e Manastirit, në 1908. Ai ishte shkencëtar, prandaj shtronte
edhe probleme. Për Rrotën dokumenti i parë i shkrimit shqip ishte “Perikopeja e Ungjillit
të Pashkës”, një tezë e diskutueshme, pasi ka pasur një renditje tjetër në studimet
e mëvonshme. Më e pranueshme për ne është një renditje e tillë e dokumenteve të para:
1. Formula e pagëzimit (1462) 2. Fraza e mallkimit (1483) 3. Perikopeja e Ungjillit
të Pashkës (shek. XV-XVI) 4. Fjalori i von Harffit (1497). Pastaj autori në rend
kronologjik vazhdoi të trajtonte autorë dhe shoqëri që janë marrë me këtë problem.
Ndonëse kanë kaluar disa dekada nga botimi i këtij studimi, ndihmesa ishte me vlerë
se diti me objektivitet dhe saktësi shkencore të paraqesë punën e bërë në këtë fushë,
duke hapur një rrugë që do të vazhdonin studiues të tjerë. Mendime për gjuhën
e përbashkët shqipe Që nga Rilindja e këtej, por në mënyrë të veçantë shoqërinë
shqiptare e ka shqetësuar zgjidhja e gjuhës së përbashkët, mbasi disa çështje të kulturës
shqiptare po merrnin zgjidhje. Shumë personalitete në shtypin e kohës dhanë mendime,
duke e propozuar edhe rrugën e zgjidhjes. Por ky problem u diskutua me një seriozitet
të veçantë në Komisinë Letrare Shqipe, të mbledhur në Shkodër gjatë viteve 1916-1918.
Ajo e pranoi të folmen e Elbasanit si mbështetje kryesore për gjuhën e përbashkët,
pasi ajo do të shërbente edhe si urë në mes të gegërishtes e toskërishtes. Por kjo
çështje nuk u konsiderua plotësisht e zgjidhur nga disa intelektualë. Për këtë arsye,
në shtypin e kohës filluan të botoheshin shumë shkrime me këtë tematikë. Pak më shumë
se dhjetë vjet nga KLSH J. Rrota botoi artikullin “Rreth problemit të gjuhës letrare”.
Është një artikull me vlerë jo thjesht se ngre një problem të rëndësishëm të mprehtë
për atë kohë dhe më vonë, por njëkohësisht tregoi përgatitje filologjike të Justin
Rrotës. Autori që në fillim vlerësoi qëndrimin e popullit shqiptar dhe të gjuhës shqipe
që nuk arriti të asimilohej, por ruajti me fanatizëm atë që trashëgoi nga të parët
tanë gjuhën shqipe. Autori u ndal edhe në një çështje tjetër, në futjen në leksikun
e gjuhës shqipe të fjalëve të huaja, duke shpjeguar faktorët që ndikuan. Por përgatitja
e tij bëri që ai t’i dallojë ndërkombëtarizmat nga fjalët e huaja. Gjithashtu ai vërente
në atë kohë, disa ia kishin frikën lëvrimit të gjuhës, ndonëse ai tërhiqte vëmendjen
se deri në atë kohë nuk ishte përdorur një gjuhë e përbashkët, “por një gjuhë dialektore
sipas krahinës që i përkiste shkrimtari”. Prandaj ai këshillonte që shqipen nuk do
ta shkruajmë “mbarë e mbrapshtë, të latueme e të palatueme”. Gjithnjë i mëshon idesë
se duhet të pranohej një gjuhë e përbashkët letrare. Rrota nuk ishte lokalist. Ai
do që më të mirën e ndonjë krahine ta pranojmë për gjuhë të përbashkët. Dhe kjo arrihet
“vetëm tue lëshue pê shoqi-shoqit”, por duke ruajtur dialektin. Një çështje tjetër
që ngre Rrota lidhur me gjuhën e përbashkët ishte qëndrimi ndaj gjuhës së autorëve
të vjetër. Ndonëse e njihte mirë gjuhën e veprës së tyre dhe vlerat, nuk pranonte
që disa trajta të tyre të përgjithësoheshin, pasi ai i konsideronte arkaike. Për autorin
gjuha zhvillohet dhe përparon. Si bazë e gjuhës së përbashkët pranonte të folmen e
Elbasanit, e cila ishte në qendër të Shqipërisë. Për Rrotën, zgjidhja e gjuhës së
përbashkët kishte lidhje me zhvillimin kulturor të një populli e kështu edhe për shqipen.
Autori nuk pranonte zgjidhjen e këtij problemi nga një grup njerëzish që mund të ngrenë
një komision apo akademi meqë, “trajtimi i gjuhës letrare nuk duhet të jetë nji gja
përdhuni”. Ky problem, sipas autorit, “do të vijë vedit dhe secili do të shkojë tue
pranue në shkrim të vet njato mënyrë të qortueme, të përdorueme prej ma të zellshëmve”.
* * * Justin Rrota u mor edhe me probleme të morfologjisë, të sintaksës dhe
të sintaksës historike, ku në mënyrë të veçantë u përqendrua te ablativi (rrjedhorja)
në studimin “Analyzimi i rasavet t’emni te zhvillimi historik i tynvet” (1931). Me
interes është edhe shkrimi i Rrotës “Mbi refleksin e vlerën fonike të disa tingujve
të latinishtes në shqipe” (1965). Një vepër me vlerë jo vetëm në fushën e teksteve
shkollore, por edhe të sintaksës në përgjithësi ka qenë “Sintaksi i shqipes” i botuar
në 1942 dhe i ribotuar, në 1943. Ky ishte një tekst i ngritur si nga ana shkencore,
ashtu edhe metodike dhe që dallohej nga paraardhësit për nivelin e ngritur, gjë që
bëri t’i qëndrojë kohës për disa vjet. Kjo vepër e e radhit Justin Rrotën në një ndër
sintaktologët më të mirë të vendit tonë për periudhën kur shkroi. Por vepra më e rëndësishme
e Rrotës që e la në dorëshkrim titullohet “Gjuha e shkrueme ose vërejtje gramatikore”,
e cila për shumë kohë qëndroi në arkivat e Institutit të Gjuhësisë dhe i Letërsisë,
por që pa dritën e botimit në vitin 2006 nga Akademia e Shkencave e Shqipërisë dhe
Biblioteka françeskane “At Gjergj Fishta”, Shkodër, 612 faqe. Ajo përmban këto pjesë:
Brumi i shqipes (Leksikologjia), Tingujt i shqipes (Fonologjia), Trajtat e shqipes
(Morfologjia), Fjalia e shqipes (Sintaksë), Të përbërit e fjalëve (Etimologji), Lëvruesit
e shqipes (Albanologjia). Është për t’u përshëndetur Biblioteka françeskane “At Gjegj
Fishta” që deri tashti ka ribotuar pothuajse të gjitha veprat e Justin Rrotës, botime
të cilat në mjaft raste kanë qenë të rralla. * * * Justin Rrota sot e kësaj
dite mbetet një nga personalitetet dhe përfaqësuesit e shquar të gjuhësisë dhe të
kulturës shqiptare, kryesisht të gjysmës së parë të shekullit XX, duke na lënë një
trashëgimi të pasur botuese