2012-12-21 15:32:25

Papa Kuries Romake: në plan të parë, mbrojtja e familjes, në të cilën vihet në lojë vetë fati i njeriut


Familja e dialogu: ishin këto, dy temat kryesore të fjalimit të madh, mbajtur sot nga Papa, me rastin e takimit me Kurien Romake për urimet e Krishtlindjes. Në fjalimin, me tematikë tejet të pasur, Benedikti XVI kujtoi çastet më në shenjë të vitit 2012, duke nisur nga shtegtimet ndërkombëtare në Meksikë, Kubë e Liban, për të kaluar tek Takimi Botëror i Familjeve, në Milano, Sinodi për Ungjillëzimin e Ri dhe Viti i Fesë, në 50-vjetorin e Koncilit II të Vatikanit. Zemra e fjalimit: thelbi i vërtetë i lirisë njerëzore dhe mbrojtja e familjes, në të cilën vihet në lojë vetë fati i njeriut.
Pse Kisha e ka kaq për zemër familjen? Benedikti XVI e nisi reflektimin me këtë pyetje të cilën sot, në rrethana kaq të ndërlikuara, e bën shumëkush. Kisha interesohet për familjen, nënvizoi Papa, sepse nuk është fjala vetëm për një formë të caktuar shoqërore, por sepse në të përfshihet vetë çështja e njeriut: “Kush është njeriu e ç’duhet të bëjë, për të qenë njeri i vërtetë”. Duke u nisur nga konsideratat e Rabinit të madh të Francës, Zhil Bernhaim, Benedikti XVI bëri një analizë të hollësishme të shkaqeve, që çuan në krizën aktuale të familjes dhe në keqkuptimin e thelbit të lirisë njerëzore e, në fund të fundit, edhe të vetë qenies njerëzore. Papa vuri theksin mbi kërcënimet kundër familjes, që burojnë nga “filozofia e seksualitetit”, nga teoria e “gender” (siç quhen studimet ndërdisiplinore, që kanë të bëjnë me kuptimin shoqëroro-kulturor të seksualitetit dhe të identitetit të gjinisë) sipas së cilës seksi nuk është më shenjë dalluese, me origjinë nga natyra, por rol shoqëror, për të cilin njeriu mund të vendosë në mënyrë krejt të pavarur:
“Gabimi i thellë i kësaj teorie dhe i revolucionit antropologjik, që varet prej saj. është i dukshëm. Njeriu nuk pranon se ka një natyrë të parakrijuar nga trupi i tij, që karakterizon qenien njerëzore. Mohon natyrën e vet dhe vendos se kjo natyrë nuk i është dhënë si fakt i parakrijuar, por se është ai vetë që mund ta krijojë. Sipas rrëfimit biblik të krijimit, i përket thelbit të krijesës njerëzore fakti, që u krijua nga Hyji si mashkull e si femër”.
Ky dyzim, shtoi Papa, është thelbësor për njeriun. Por tani njeriu i kundërvihet vetë natyrës së tij; ai tashmë është vetëm shpirt e vullnet:
“Manipulimin e natyrës, që sot e dënojmë, kur bëhet fjalë për ambientin, në këtë aspekt njeriu e zgjedh si rrugë themelore për vetveten. Tashmë ekziston vetëm njeriu abstrakt, që pastaj zgjedh për vete, në mënyrë krejt të pavarur, diçka që e quan natyra e tij”.
E në se nuk ekziston dyzimi i mashkullit e i femrës, siç e dimë nga krijimi, vërejti Papa, atëherë nuk ekziston më as familja si realitet i paravendosur që nga krijimi. Por në këtë rast, edhe fëmijët e humbasin vendin, që u përkiste deri më sot, e humbasin edhe dinjitetin e veçantë, që u përket. Nga subjekt juridik, bëhen objekt, për të cilin ekziston e drejta e, si objekt i së drejtës, mund edhe të sigurohen:
“Atje ku liria për të bërë, bëhet liri për t’u vetbërë, arrihet në mohimin e vetë Krijuesit e me këtë, edhe njeriu, si krijesë e Zotit, si shembëlltyrë e Hyjit të gjallë, poshtërohet në thelb të qenies së tij. Në luftën për familjen, vihet në lojë vetë njeriu. E është e qartë se atje, ku mohohet Zoti, zhduket edhe dinjiteti i njeriut. Kush mbron Zotin, mbron njeriun”.
Më pas Papa vuri theksin tek dialogu që, për Kishën, theksoi, duhet të ndjekë tre nivele: me shtetet, me shoqërinë e me kulturat. Në këto dialoge, pohoi Ati i Shenjtë, Kisha flet, duke u nisur nga drita e fesë. Njëkohësisht edhe mishëron kujtesën e njerëzimit, të përvojave e të vuajtjeve të mbarë gjinisë njerëzore:
Kisha përfaqëson kujtesën e njeriut përballë qytetërimit të harresës, që tashmë njeh vetëm vetveten dhe i mat të gjitha gjërat me kutin e vet. Por ashtu si njeriu pa kujtesë e humbet identitetin, ashtu edhe njerëzimi pa kujtesë, do ta humbiste identitetin e vet”.
Në dialogun me shoqërinë, vërejti Papa, Kisha natyrisht nuk ka rrugëzgjidhje të gatshme për çështje të veçanta, por, së bashku me forcat e tjera shoqërore, do të luftojë për të dhënë përgjigje të tilla, që të përkojnë sa më shumë me masën e të qenit njeri:
Ato, që Kisha i shikon si vlera themelore, si elemente përbërëse, që nuk mund të diskutohen, për jetën njerëzore, duhet t’i mbrojë me qartësinë më të madhe, Duhet të bëjë gjithçka është e mundur për të krijuar një bindje, e cila pastaj mund të kthehet në aksion politik”.
Duke folur, në vijim, për dialogun ndërmjet feve, Papa nënvizoi se është kusht për sigurimin e paqes në botë e, njëkohësisht, edhe detyrë për të krishterët e për të gjitha bashkësitë fetare. Prandaj, shtoi, përgjegjësia e përbashkët për drejtësinë dhe paqen, duhet shikuar si kriteri themelor në zhvillimin e bisedimeve. Natyrisht, kujtoi Ati i Shenjtë, dialogu nuk synon konvertimin, por përmirësimin e mirëkuptimit reciprok. Gjithsesi, kërkimi i njohjes duhet të jetë gjithnjë afrim kah e vërteta:
“Sigurisht, nuk jemi ne, që e zotërojmë të vërtetën, është ajo që na zotëron ne: Krishti, e Vërteta, na mori për dore e, në udhën e kërkimit tonë të pasionuar të njohjes, e dimë se dora e tij na mban fort. Shtrëngimi i dorës së Krishtit na bën të lirë e, njëkohësisht, edhe të sigurtë”.
Papa e përfundoi fjalimin e tij me një lutje dhe një urim për Misterin e Krishtlindjes. Në fund të vitit, tha, ta lusim Zotin që Kisha, pavarësisht nga varfëritë e saj, të bëhet gjithnjë më e njohur si banesa e Krishtit.







All the contents on this site are copyrighted ©.