2012-12-31 16:35:28

Krishtlindja me Papën: “Tre Mbretërit Dijetarë adhurojnë Jezusin” .


Historia vijon e me të, shtegtimi drejt Shpellës së Betlehemit. Në emisionin e 24-t të rubrikës “Krishtlindja me Papën”, Benedikti XVI na çon përsëri në Betlehem, ku më në fund arrijnë Tre Mbretërit Dijetarë.
Në Jeruzalem, kujton Papa Racinger, ylli kishte perënduar. Por, pas takimit të Mbretërve me Fjalën e Hyjit, ylli nisi të shkëlqejë përsëri për ta. Krijimi, i shpjeguar nga Shkrimi Shenjt, rifilloi t’i flasë njeriut. Mateu përdor shkallën sipërore për të përshkruar reagimin e Mbretërve: “Duke parë yllin, ata u pushtuan nga një gëzim tepër i madh”(2,10). Është gëzimi i njeriut të prekur në shpirt nga drita e Zotit, njeriut, që mund të shikojë si realizohen shpresat e tij; gëzimi i atij, që gjeti e u gjet.
Si hynë në shtëpi, panë Foshnjën me nënën e tij, u gjunjëzuan dhe e adhuruan (Mt 2,11). Në këtë frazë, të tërheq vëmendjen fakti i mungesës së Shën Jozefit, aq më tepër kur mendon se Mateu e pa pikërisht me sytë e tij, fëmijërinë e Jezusit. Lexojmë në Ungjillin e tij vetëm fjalët: “Maria, e ëma”! Nuk kam gjetur deri më sot asnjë shpjegim bindës për këtë mungesë, nënvizon Benedikti XVI i cili, në vijim, kujton se në Besëlidhjen e Vjetër, ka shumë fragmente, ku Nënës i kushtohet vëmendje e veçantë (për shembull tek Jer. 13,14). Po kjo më duket se nuk mjafton, pohon Papa Ratcinger, e shton: “Ndoshta ka arsye Gnilka, kur thotë se me këtë mënyrë përshkrimi, Mateu dëshiron të tërheqë vëmendjen tek Lindja e Jezusit nga Virgjëra, ndërsa Foshnjën e quan Biri i Hyjit” (Das Matthäusevangelium I/1, fq 40).
Përpara Foshnjës mbretërore, Dijetarët praktikojnë proskýnesis, domethënë përkulen para Tij. E ky është nderimi që i bëhet vetëm një Mbreti-Hyj. Duke u nisur nga kjo, shpjegohen, pastaj, edhe dhuratat, që i sjellin Mbretërit- Mbretit. Nuk janë dhurata praktike, të cilat në atë çast, ndoshta, mund ta ndihmonin sadopak Familjen Shenjte. Simbolizojnë të njëjtën proskýnesis: pranimin e dinjitetit mbretëror të Atij, të cilit i dhurohen. Ari e kemi kujtohen edhe nga Izaia (60,6), si dhurata nderimi, që popujt ia bëjnë Hyjit të Izraelit.
Në tri dhuratat, tradita e Kishës shikon përfaqësimin, me disa variante, të tre aspekteve të misterit të Krishtit: ari na kujton pushtetin mbretëror të Jezusit; kemi, natyrën hyjnore e mirra, misterin e Mundimeve të Tij.
Në të vërtetë, në Ungjillin e Gjonit, pas vdekjes së Jezusit, duket mirra: ungjilltari rrëfen se Nikodemi, për të lyer trupin e vdekur të Jezusit, kishte siguruar edhe mirrë (cfr 19,39). Kështu, misteri i Kryqit, përmes mirrës, lidhet përsëri me pushtetin mbretëror të Jezusit e paraflitet në mënyrë misteriose, qysh në çastin e adhurimit të Tre Mbretërve. Vajimi është përpjekje për t’iu kundërvënë vdekjes e cila ia arrin plotësisht qëllimit, vetëm me kalbjen e trupit. Kur, në agun e ditës së parë të javës, gratë arritën tek varri për ta vajuar trupin, që nuk kishin mundur ta preknin menjëherë pas zbritjes nga kryqi, për shkak të fillimit të festës, Jezusi tashmë ishte ngjallur. Ai nuk kishte më nevojë për mirrën, si mjet për t’iu kundërvënë vdekjes, sepse e kishte mundur vdekjen me vetë jetën e Tij.








All the contents on this site are copyrighted ©.