2013-03-04 15:01:33

E diela e parë pa lutjen e Engjëllit të Tënzot të Benediktit XVI, kremtuar 455 herë në praninë e miliona besimtarëve.


Pas dorëheqjes nga misioni papnor i Benediktit XVI dhe fillimi i Selisë vakante, e djeshmja ishte e diela e parë pa kremtimin e Engjëllit të Tënzot. Nga lutja a parë e Mbretëreshës Qiellore, në maj të vitit 2005, deri tek lutja e fundme e Engjëllit të Tënzot, më 24 shkurtin e kaluar, numërohen mijëra njerëz të cilët, çdo të dielë, në Sheshin e Shën Pjetrit, e edhe gjetiu, e pritën Benediktin XVI, për ta dëgjuar e për të kremtuar, së bashku me të, Lutjen mariane të mesditës. Gjatë tetë vjetëve, për 455 herë me radhë, ky ishte çast i zgjedhur për Benediktin, tashmë ‘Papë nderi’, për t’u takuar me besimtarët e për t’u folur si mësues i madh e i kuptueshëm. Prijës i cili, që në hapin e parë të papnisë, pati sqaruar menjëherë mbi ç’ themele do ta mbështeste magjisterin.

“Fjala, që e përmbledh gjithë zbulesën është kjo: “Zoti është dashuri”.
Ishte e dielë, 22 maj 2005, kur Benedikti XVI e shqiptoi këtë frazë, në lutjen e parë të Engjëllit të Tënzot, nga dritarja e Pallatit Apostolik të Vatikanit. Në të vërtetë, që nga zgjedhja e tij, ishte hera e katërt që e përsëriste këtë gjest, të cilin ai e quajti “zakon i këndshëm”, por në tri herët e para kremtohej lutja e Mbretëreshës Qiellore e cila, në kohën e Pashkëve, zëvendëson Engjëllin e Tënzot e, në këto raste, konsideratat e tij iu kushtuan temave të ditës: Festës së Punës, Ditës së Komunikimeve Shoqërore e kështu me radhë. Funksioni dhe vlera, që Benedikti XVI u dha këtyre dhjetë minutave të mesditës, filloi të marrë formë kryesisht nga 22 maji. Nisi t’u drejtojë besimtarëve një homeli të shkurtër, kushtuar liturgjisë së ditës, një lektio divina në formë të përmbledhur, me të cilin çdo të dielë, në katedralen, nën qiellin e hapur të Sheshit të Shën Pjetrit, Papa teolog bëhej famullitar për ata, që ndaloheshin për ta dëgjuar poshtë dritares së studios së tIj, ndërmjet turmës, para televizorit, radios a internetit. Në këtë lutje të shkurtër të Engjëllit të Tënzot të 22 majit 2005, në sa kremtohej e Shenjtnueshmja Trini, mësuesi vuri menjëherë theksin mbi thelbin e fesë së krishterë e, njëherësh – gjë që do ta dëshmonte edhe në Enciklikën e tij të parë “Deus caritas est” - mbi strumbullarin e vetë përshpirtërisë së tij:
Fjala, që përfshin gjithë zbulesën, është kjo: “Zoti është dashuri”; e dashuria është gjithnjë mister, realitet, që i kapërcen kufijtë e arsyes, pa iu kundëvënë, madje duke nxjerrë në pah mundësitë e saj”.
“Zoti dashuri, feja e arsyeja, ballë për ballë”: në këtë pohim shikojmë thelbin e magjisterit, zhvilluar nga Papa në vitet që do të vinin. Fjalët pasuese kushtuar misterit trinitar: “Jezusi na e zbuloi misterin e Hyjit; Ai, Biri, na bëri ta njohim Atin, që është në Qiell e na dhuroi Shpirtin Shenjt, dashuri e Atit dhe e Birit” – ushtuan në sallat e katekizmit, ku besimtarët nisën ta vlerësonin lart Benediktin XVI, mësues i padiskutueshëm, i aftë për t’i sheshuar majat dhe për t’i lartuar greminat e shpirtit, në nivelin e një zemre të thjeshtë:
“Teologjia e krishterë e përmbledh të vërtetën mbi Zotin me këtë shprehje: një lëndë e vetme në tri Vetje. Zoti nuk është vetmi, por bashkim i përkryer. Prandaj njeriu, shembëlltyrë e Hyjit, realizohet në dashuri, që është dhurim i sinqertë i vetvetes”.
Nga elteri i dritares së tij mbi botën, Papa mësues i lë vendin Papës rojtar-feje, jo ashtu si e përshkroi shpesh një lloj shtypi, që synon të papnojë përmbi Papën, por si mbrojtës i fisëm, mendjendritur, i cili i fton të krishterët të mos infektohen në praktikimin e fesë, nga relativizmi në rritje:
“Çdo famulli është e thirrur ta rizbulojë bukurinë së Dielës, Ditës së Zotit, në të cilën dishepujt e Krishtit përtërijnë në Eukaristi bashkimin me Atë, që i jep kuptim gëzimeve dhe mundimeve të çdo çdo dite. ‘Pa të dielën nuk mund të jetojmë’, dëshmonin të krishterët e parë, edhe me çmimin e jetës, e kështu duhet të përsërisim edhe sot”.
Për 455 herë, nga 2005-sa, deri tek 2013-ta, Benedikti XVI, mësues i përvuajtur e rojtar mendjendritur, i foli botës me fjalët e Engjëllit të Tënzot, herë nga dritarja e studios; herë nga elteri, në fund të Meshëve solemne; herë gjatë shtegtimeve apostolike e herë tjetër, i rrethuar nga malet, gjatë pushimeve verore, për t’i shpjeguar e për t’i mësuar “gëzimin, që buron nga feja e krishterë”, duke përfunduar me fjalët, që vijojnë të jehojnë gëzueshëm, edhe në këto çaste të pashembullta, në veshët e atyre, që e deshën dhe vijojnë ta duan: “L’Angelus nunziavit Mariae”- “Engjëlli i Tënzot iu fal Zonjës Mari”.
Në ditët, kur dritarja e Papës, gjithnjë e hapur, mbetet mbyllur e tingëllojnë orët e mesditës, të pashoqëruara nga duartrokitjet, me të cilat është mësuar Sheshi i Shën Pjetrit, i rrethuar nga Shtyllat e Berninit – ku lutja u ndoq nga më se 10 milionë besimtarë - kalimtari nuk mund të mos meditojë për misionin e kryer, duke nisur nga 22 maji 2005. E meditimin e shoqëron jehona e pashuar e lamtumirës së fundit, që i dha njerëzimit mësuesi i fesë i cili, edhe këtë të dielë të heshtur, pa figurën e tij të bardhë në dritare, e mbështeti Kishën me forcën e lutjes së Engjëllit të Tënzot, kremtuar fshehur nga bota, por jo nga Zoti:“Ju falënderoj për përzemërsinë e praninë tuaj shpirtërore në lutje, posaçërisht në këtë çast të veçantë për mua e për Kishën. Të gjithëve ju uroj të diele e javë të gëzuar! Falemuinderit! Në lutje jemi gjithnjë pranë. Ju falënderoj të gjithëve! Angelus nunziavit Mariae”…







All the contents on this site are copyrighted ©.