Papa Françesku: është dashuria e Zotit, që shpëton, jo paratë, pushteti, krenia e
kotë.
"Zoti aq shumë e deshi botën, sa të jepte Birin e vetëm, që kushdo të besojë në Të,
të mos humbasë, por të ketë jetën e pasosur”. Ky pohim i Jezusit, në Ungjillin e liturgjisë
së sotme, e përshkoi gjithë homelinë e shkurtër të Papës gjatë Meshës, kryesuar në
Kapelën e Shtëpisë së Shën Martës. Me Atin e Shenjtë kremtuan kardinali Anxhelo Sodano
dhe kardinali Anxhelo Komastri, në praninë e disa prej punonjësve të Fabrikës së Shën
Pjetrit e të ministres italiane të Punëve të Brendshme, Ana Maria Kançelieri, shoqëruar
nga familjarët.
Zoti, tha Papa, na shpëton me dashurinë e tij: nuk na shpëton
me ndonjë letër a dekret, por me dashuri. Një dashuri aq e madhe, sa e shtyu ta dërgonte
Birin e vet, që u bë një nga ne, eci me ne… e është pikërisht kjo, që na shpëton.
Por, pyeti Papa, ç’do të thotë shpëtim? Ç’kuptim ka të shëlbohesh? Do të thotë, vijoi,
të rifitosh dinjitetin e humbur, dinjitetin e bijve të Hyjit. Do të thotë të rifitosh
shpresën. Ky dinjitet rritet deri në takimin përfundimtar me Zotin. E kjo është
edhe udha e shëlbimit, udha e bukur, që e bën kështu vetëm dashuria. Por problemi,
nënvizoi, është se nganjëherë duam të shpëtojmë pa ndihmën e askujt, të shpëtojmë
vetveten. Madje edhe besojmë se mund ta bëjmë këtë, duke u bazuar, për shembull, mbi
paratë. Atëherë nisim e mendojmë: “Jam i sigurtë, kam para, kam gjithçka… s’kam pse
shqetësohem, prandaj. Kam, mbi të gjitha, dinjitet, dinjitetin e njeriut, që të tund
kokën me para”. Po kjo, theksoi me forcë Papa, nuk mjafton. Na e kujton më së miri
shëmbëlltyra e Ungjillit, që flet për njeriun i cili, duke e pasur hambarin plot,
mendonte. “Do të bëj një hambar tjetër e do ta mbush edhe atë plot e pastaj do të
fle i qetë”. Por Zoti i tha: “O njeri i pamend! Sonte s’do të flesh, por do të vdesësh”.
Ky lloj shpëtimi nuk vlen fare, është i përkohshëm, e vetëm në dukje. Herë të tjera,
vijoi, mendojmë të shpëtojmë me kreni, më mirë të themi, me mburrje, apo jo? Duke
besuar se jemi njerëz të pushtetshëm, se s’ka si ne! Edhe kjo nuk shkon fare. Maskojmë,
kështu, varfërinë tonë, mëkatet tona. I fshehim pas maskës së kotësisë, të mendjemadhësisë...
Edhe kjo merr fund shumë shpejt. Shpëtimi i vërtetë, shëlbimi, është dinjiteti të
cilin Zoti na e rikthen, përmes shpresës së Pashkëve të Krishtit. Të bëjmë sot
një akt feje e të themi, i ftoi të gjithë Papa: “Zot, unë besoj. Besoj në dashurinë
tënde. Besoj se kjo dashuri më shpëtoi. Besoj se dashuria jote më dha dinjitetin,
që nuk e kisha. Besoj se dashuria jote më jep shpresë!”. E vetëm dashuria e Zotit
mund të japë dinjitet të vërtetë e shpresë të vërtetë. Gjë e bukur të besosh në dashurinë,
përfundoi Papa, kjo është e vërteta. E vërteta e jetës sonë. Të lutemi, prandaj: “O
Zot, besoj në dashurinë tënde”. E ta hapim zemrën, që kjo dashuri të vijë, të na mbushë
plot e të na shtyjë t’i duam edhe të tjerët. E ashtu qoftë!