2013-04-12 16:31:27

Në Vatikan, seminar për qelizat burimore të rritura dhe mjekësinë ripërtëritëse


Filloi më 11 prill e përfundon nesër, konferenca e dytë mbi temën “Mjekësia ripërtëritëse: ndryshim themelor në shkencë e në kulturë”. Organizuar nga Këshilli Papnor i Kulturës, konferenca diskuton për punën kërkimore në fushën e përdorimit të qelizave burimore të rritura, duke vënë në dukje rezultatet e arritura. Të dëgjojmë imzot Tomash Trafnin, i departamentit shkencor të Këshillit Papnor të Kulturës, në mikrofonin tonë:
Pjesa e parë iu kushtua përshëndetjeve, si të kardinalit Ravazi, kryetar i Këshillit Papnor për Kulturën, ashtu edhe të kryetarit të Akademisë Papnore për Jetën, imzot Injacio Karasko de Paula. Pastaj, u nënvizuan dy aspekte kryesore. Së pari, nevoja për të hapur një dritare kërkimore ndërdisiplinore, ku shkencat natyrore të takohen me shkencat humaniste për të shkëmbyer përvojën e njohuritë. E dyta: mjekësia ripërtëritëse dhe tekonologjitë e protokollit të përdorimit të qelizave burimore të rritura kanë bërë hapa të mëdha përpara. Kisha duhet të interesohet për këtë fushë delikate e të ndërlikuar të punës kërkimore, sepse kemi të bëjmë me njerëz, që janë më pranë nesh në veprimtarinë baritore, pasi janë ata që vuajnë, që janë të sëmurë, sidomos ata, që vuajnë nga sëmundje të rënda degjenerative, të cilët kanë nevojë për ndihmën tonë.







All the contents on this site are copyrighted ©.