2013-04-14 16:41:56

Papa në lutjen e Mbretëreshës Qiellore: Kisha ta kumtojë me guxim Krishtin e ngjallur, gjithnjë pranë të krishterëve të persekutuar.


Turmë e madhe besimtarësh, së paku 80 mijë vetë, edhe sot në Sheshin e Shën Pjetrit për lutjen e Mbretëreshës Qiellore të Papës Françesku, në një ditë të ndritshme pranverore. Në qendër të fjalëve të Papës, faqja e shkëputur nga Veprat e Apostujve, që u lexua në Liturgjinë e së Dielës së Tretë të Pashkëve.

“Të dashur vëllezër e motra, mirëdita!”.
Është përshëndetja tashmë e zakonshme, me të cilën Papa iu drejtua turmës vigane, mbledhur rreth tij, në Sheshin e Shën Pjetrit. Faqja biblike, cituar nga Papa, flet për predikimin e parë të Apostujve në Jeruzalem. Ky predikim e mbushi mbarë qytetin me lajmin se Jezusi ishte ngjallur vërtet, sipas Shkrimeve, e se ishte Mesia i parafolur nga Profetët. Kryepriftërinjtë dhe krerët e qytetit deshën t’ia marrin frymën që në djep, bashkësisë së besimtarëve. I burgosën, prandaj, apostujt, e u dhanë urdhër të mos predikonin më në emër të Krishtit. Po Pjetri e të tjerët u përgjigjen: “Duhet t’i bindemi Zotit e jo njerëzve. Hyji i etërve tanë e ngjalli Jezusin, e lartoi në të djathtën e vet si prijës e shëlbues. E ne jemi dëshmitarë për këto ngjarje: ne e Shpirti Shenjt”. Pas këtij pohimi, Apostujt u rrahën me kamxhik e u urdhëruan përsëri të mos flisnin në emër të Jezusit. Po ata u nisën plot gëzim, pse u vlerësuan si njerëz të denjë për t’u ndëshkuar, në emër të Zotit.
Ku e gjetën dishepujt e parë forcën për të bërë këtë dëshmi, pyeti Papa, e prej nga u vinte gëzimi e guximi i kumtimit, pa marrë parasysh pengesat, as dhunën? Nuk duhet harruar, vijoi Ati i Shenjtë, se Apostujt ishin njerëz të thjeshtë, nuk ishin skribë, dijetarë të ligjit, as nuk i përkisnin klasës priftërore. Si munden, atëherë, me gjithë kufizimet, e në shënjestër të autoriteteve, ta mbushnin Jeruzalemin përplot me mësimet e tyre?
“Është e qartë se këtë fakt të jashtëzakonshëm mund ta shpjegojë vetëm prania e Zotit, që ishte me ta, e e Shpirtit Shenjt, që i shtynte të predikonin. Feja e tyre bazohej mbi një përvojë të fortë personale; ata e kishin parë Krishtin të vdekur e të ngjallur, prandaj nuk kishin frikë nga asgjë e nga askush, madje i shikonin persekutimet si nder i veçantë, që u krijonte mundësinë të ndiqnin gjurmët e Jezusit e t’i përngjisnin Atij, duke e dëshmuar me jetë”.
Kjo ngjarje, që ndodhi në bashkësinë e parë të krishterë, vijoi Papa, na kujton diçka tejet të rëndësishme, që vlen për Kishën e të gjitha kohëve, edhe për ne:
“Kur njeriu e njeh vërtet Jezu Krishtin e beson në Të, kur e ndjen praninë e Tij në jetë e forcën e ngjalljes së Tij, nuk mund të mos e komunikojë këtë prani. E nëse ky njeri ndesh moskuptime ose kundërshtime, sillet si Jezusi gjatë Mundimeve: përgjigjet me dashuri e me forcën e së vërtetës”.
Prej këndej, Papa lypi ndihmën e Marisë, që Kisha në mbarë botën ta kumtojë me guxim Ngjalljen e Zotit e të japë dëshmi bindëse, me shenja dashurie vëllazërore:
“Dashuria vëllazërore është dëshmia më e afërt, që ne mund të japim për të treguar se Jezusi është me ne i gjallë, se Jezusi u ngjall. Të lutemi posaçërisht për të krishterët, që persekutohen: e në këtë kohë janë të shumtë të krishterët, që pësojnë persekutime, në shumë, shumë vende! Të lutemi për ta me dashuri, me gjithë zemër, që ta ndjejnë praninë e gjallë e ngushëlluese të Zotit të ngjallur”.
Pas lutjes së Mbretëreshës Qiellore, Papa Françesku kujtoi se dje, në Venedik, u shpall i Lum Don Luka Pasi, prift bergamask, që jetoi në vitet 1800, themelues i Veprës laikale të Shën Dorotesë dhe Institutit të Motrave mësuese të Shën Dorotesë:
Ta falënderojmë Zotin për dëshminë, që dha ky i Lum”.
E sot, vijoi Papa, në Itali kremtohet Dita kushtuar Universitetit Katolik të Zemrës së Krishtit me temë “Breznitë e reja, përtej kufijve të krizës”:
Ky Universitet, i lindur nga mendja e nga zemra e Atë Agostino Gjemelit, me mbështetje të fuqishme popullore, përgatiti mijëra e mijëra të rinj si qytetarë të aftë e të përgjegjshëm, ndërtues të së mirës së përbashkët. I ftoj të gjithë ta ndihmojnë përherë këtë universitet, që të vijojë t’u japë breznive të reja formimin më të mirë të mundshëm, për t’u bërë ballë sfidave të së sotmes”.
Në fund Papa i përshëndeti përzemërsisht të gjithë shtegtarët e pranishëm, ardhur nga vende të ndryshme, familjet, grupet famullitare, lëvizjet, të rinjtë e, në mënyrë të veçantë, shtegtarët e dioqezës Sienë-Kole Val d’Elsa-Montalçino, me kryeipeshkvin Buonkristiani. Një përshëndetje e posaçme, të rinjve e të rejave, që përgatiten për Krezmim. E më pas, përshëndetja përfundimtare:
Ju të gjithëve, ju uroj të diel të gëzuar e drekën e mirë!”.








All the contents on this site are copyrighted ©.