Siri. Ipeshkvi Audo: Pashkë në zi për vëllezërit tanë ortodoksë.
Këndonin “Krishti u ngjall” e, ndërsa përsërisnin këto fjalë, nga sytë u rridhnin
lot të hidhur. Lutje e lotë. Këtë pamje kishte Dita e Pashkëve të sivjetshme, e sapokremtuar
nga bashkësitë e krishtera lindore, që ndjekin kalendarin julian. E kështu e përshkruan
edhe ipeshkvi kalde i Halebit, imzot Antuë Audo. Mbarë populli po vuan për shkak
të luftës, pohon, por bashkësisë së krishterë halebiane i shtohet edhe rrëmbimi i
barinjve, që përfunduan në duar të panjohura. Kaluan tre muaj nga dita e rrëmbimit
të dy barinjve e dy javë nga rrëmbimi i peshkopëve Johana Ibrahim e Bulos Jazigi,
i pari siriako-ortodoks e i dyti greko-ortodoks, ndaluar nga njerëz të armatosur,
ndërsa udhëtonin në kufirin siriano-turk, drejt Halebit. Njerëzit vranë shoferin,
ndërsa dy prelatët i çuan në një vend të panjohur. Bashkësia e krishterë, e tronditur
thellë, kujton edhe rrëmbimin, në shkurtin e kaluar, të dy priftërinjve: atë Mikel
Kaial, armen katolik dhe atë Maher Mahfuz, greko-ortodoks, për të cilët nuk ka asnjë
lajm. Të gjithë pyesin për fatin e peshkopëve, të meshtarëve e edhe për fatin
e vet. Koha kalon pa lajme e kjo nuk është shenjë e mirë. Lufta e përditshme për mbijetesë
i pengon njerëzit të shikojnë përtej pragjeve të veta, për të pasur një vizion të
qartë për konfliktin në përgjithësi, për pasojat e sulmeve ajrore izraelite edhe rrezikun
e përhapjes rajonale të konfliktit. Ipeshkvi kalde i Halebit, që është edhe drejtor
i Karitasit, thekson: “Jemi shumë shpesh pa elektricitet, mungon uji, nuk shikojmë
më televizorin dhe e kemi vështirë të informohemi për ngjarjet. E kaloj gjithë kohën
duke pritur e përcjellë njerëz, që kërkojnë ndihmë. E nuk mund të bëj asnjë lëvizje
jasht Halebit, sepse çdo hap bëhet gjithnjë më i rrezikshëm”. Kujtojmë thirrjen
e PapësFrançesku për paqe në Siri dhe për lirimin e dy peshkopëve ortodoksë
më 24 prillin e kaluar, në përfundim të audiencës së përgjithshme. Papa bëri thirrje
për paqe në Siri dhe peshkopët ortodoksë sirianë të rrëmbyer, për lirimin e të cilëve
nuk ka akoma asnjë lajm të saktë:“Rrëmbimi i metropolitëve greko-ortodoks e
siro-ortodoks të Halebit, për lirimin e të cilëve vijnë lajme në kundërshtim me njëri-tjetrin,
është shenjë tjetër, që flet për situatën tragjike të kombit të dashur sirian, ku
dhuna dhe armët vijojnë të mbjellin vdekje e vuajtje. I lutem Zotit që të dy peshkopët
të kthehen sa më shpejt pranë bashkësive të tyre, e sidomos, t’i ndriçojë zemrat.
Përsëris ftesën, drejtuar ditën e Pashkëve, që të marrë fund gjakderdhja, t’u jepet
popullsive ndihma e nevojshme humanitare e të gjindet sa më shpejt rruga për të dalë
nga kriza”.