2013-06-07 17:59:14

Meshë për Evropën, në emër të Çirilit e të Metodit


Në Katedralen e Shën Marisë së Strasburgut, të martën, më 18 qershor, do të kremtohet “Mesha për Evropën”, për nder të shenjtorëve Çirili e Metodi, ungjillëzues të mëdhenj të lindjes e Bashkëpajtorë të Evropës, me rastin e 1150 vjetorit të arritjes së tyre në trojet e Moravisë së Madhe. Meshën do ta kryesojë imzot Zhan-Pierre Grajè, kryeipeshkëv i Strasburgut, në praninë e kardinalit Dominik Duka, kryeipeshkëv i Pragës dhe të imzot Aldo Xhordanos, vëzhgues i përhershëm i Selisë së Shenjtë pranë Këshillit të Evropës.
Veprimtaria organizohet nga përfaqësia e përhershme e Republikës Çeke dhe e Republikës Sllovake, nga Misioni i Përhershëm i Selisë së Shenjtë pranë Këshillit të Evropës dhe dioqeza e Strasburgut, në bashkëpunim me përfaqësi të ndryshme të përhershme të vendeve të lindjes e të jug-lindjes së Evropës.
Ja historia e dy Shenjtorëve vëllezër.
Çirili e Metodi, bij të një funksionari shtetëror, lindën në Thesalonik (Selaniku i sotëm, në Greqi), në fillim të shekullit IX. Metodi, më i madhi, deshi të ecte në gjurmët e babait, por pastaj ndërroi rrugë e u mbyll në kuvend. U bë murg.
Kostandini, apo Çirili, emri murgar, që do të merrte më pas, bashkëpunoi si diakon, me patrikun Injac të Kostandinopojës. Në vitin 862, nga Evropa qëndrore, erdhi kërkesa e perandorit Mihali III për misionarë, që flisnin sllavishten, në ndihmë të nënshtetasve sllavë të Moravisë së Madhe, ku kishin shkelur prej kohe misionarët gjermanë, që meshonin e predikonin vetëm latinisht, prej këndej, pa frytin e duhur, sepse populli nuk i kuptonte.
Perandori dërgoi misionarë bizantinë. Ndërmjet tyre, Çirili, i shuguruar meshtar, e Metodi. Vëllezërit, njohës të shkëlqyer të botës sllave, predikonin e kremtonin në gjuhën vendase. I dhanë, kështu, një hov të ri, të paparë, ungjillëzimit në këto troje. E nuk u mjaftuan me kaq. Shpikën edhe një alfabet, që këta njerëz të mund edhe të lexonin e të shkruanin, përveçse të flisnin: krijuan një gjuhë sllave (që u njoh me emrin glagolitike), me prejardhje prej germës së vogël greke (ndërsa alfabeti rus, i krijuar prej ndonjërit nga pasardhësit e Shën Çirilit, imitoi besnikërisht trajtat e germës së madhe greke) për të përkthyer me të Shkrimin Shenjt. Në vitin 867 vëllezërit u nisën për në Romë. Papa Adriani III miratoi liturgjinë në gjuhën vendase. Tre vjet më pas, më 14 shkurt të vitit 869, Çirili vdiq në Romë e u varros në Kishën e Shën Klementit. Metodi u shugurua ipeshkëv e nisi misionin si prelat i Panonisë. Pas pushtimit të Moravisë, u burgos në Bavari e pastaj u nis për në Romë. I mbuluar me shpifje, i akuzuar me dokumente të rreme, i ndaluar të kremtojnë në sllavishte, ai vijoi se vijoi veprën monumentale, duke përkthyer shkrimet e etërve të Kishës, deri në ditën e fundit të jetës, më 6 prill 885, kur u shua pa ankime, me besim se vepra e tij dhe e të vëllait nuk do të shkonte kot. Do të njihej një ditë! Tepër impenjativ, përkthimi i Shkrimit Shenjt për një popullsi, që nuk e kishte pasur kurrë fjalën e Zotit në gjuhë të vet. Hidhte bazat e letërsisë e të kulturës në Evropën lindore. Nuk mund të mohohej aq lehtë, prandaj.
Njëmbëdhjetë shekuj më pas, Papa i parë sllav, Gjon Pali II, do t’i shpallte Shenjtorët vëllezër, Çirilin e Metodin, festa e të cilëve kremtohet më 14 shkurt, Bashkëpajtorë të Evropës, së bashku me Shën Benediktin e Norçies.

Të prekur thellësisht nga vepra e Shenjtorëve Çirili e Metodi, deklarojnë organizatorët e Meshës, dëshirojmë ta kremtojmë përvjetorin e një prej datave më të rëndësishme në historinë e Kontinentit tonë, me frymë vëllazërore. Përvjetori i arritjes së Bashkëpajtorëve në Moravinë e Madhe, është përvjetor i letërsisë, i arsimit, i kulturës, sepse me të nisi përdorimi i alfabetit sllav e përdorimi i shkronjave sllave. Përkthimi i teksteve liturgjike në sllavishten e lashtë kishtare u krijoi këtyre vendeve kushtet të merrnin pjesë drejtpërdrejt në krijimin e në zhvillimin e qytetërimit evropian të epokës. Mesazhi i tyre sot është më aktual se kurrë, përfundojnë, sepse bazohet mbi takimin, dialogun dhe zbulimin e tjetrit, duke dhënë një ndihmesë të shquar në krijimin e një Evrope moderne, të aftë për të shprehur gjithë pasurinë e traditës lindore e perëndimore.







All the contents on this site are copyrighted ©.