Çelësi i fjalëve të Kishës: Dekreti konciliar “Apostolicam actuositatem”
Të dashur dëgjues, janë bërë tashmë gjashtë, emisionet që i kemi kushtuar Koncilit
II të Vatikanit, në këtë rubrikë. Ju kemi njohur me katër kushtetutat, që miratuan
etërit konciliarë dhe që u dhanë shtysën reformave në Kishë. Sot, do të fillojmë të
flasim për nëntë dekretet, që dolën nga Koncili, duke filluar nga “Apostolicam actuositatem”,
në të cilin trajtohet tema e apostullimit të laikëve, pra e pjesëmarrjes së tyre aktive
në jetën e Kishës Katolike. Apostullimi i laikëve është urgjent, shkruhet në këtë
dekret konciliar, sepse pa ta Kisha nuk mund të veprojë në rajonet, ku meshtarët janë
pak, ose nuk janë të lirë. Laikët marrin pjesë në veprimtarinë kishtare, duke vazhduar
jetën e tyre në botë, ose duke ndjekur karizmën e shoqatës, apo të organizatës, në
të cilën janë anëtarë. Apostullimi, thekson “Apostolicam actuositatem”, kërkon një
formim bazë të krishterë, por edhe një formim specifik. Pra çdo laik, duhet të specializohet
në fushën e veprimit të tij në Kishë, si në katekizëm, në punën me fëmijët, me të
varfërit, etj.. Natyrisht, nuk është fjala për studim të mirëfilltë, nuk është universitet,
por veprimtari kishtar duhet të njohë mënyrat dhe mjetet për të zgjidhur problemet,
në fushën me të cilën merret. Dekreti “Apostolicam actuositatem”, duke nënvizuar
nevojën dhe urgjencën e kontributit të laikëve në përhapjen e Ungjillit të Krishtit,
paralajmëroi rolin, që kanë aktualisht lëvizjet e ndryshme brenda Kishës. Famullia
mbetet gjithnjë vendi për ta jetuar fenë në bashkësi, por, siç thoshte shën Pali Apostull,
Kisha është korp me shumë gjymtyrë e Shpirti Shenjt ka dikuar mbi të karizma të ndryshme.
Sot, ka shumë shoqata si Veprimi Katolik… e shumë lëvizje si Përtëritja në Shpirtin
Shenjt, Fokolarinët, Bashkim e Çlirim… që njihen nga Kisha dhe kryejnë veprimtari
apostullimi, secila sipas thirrjes së vet. Nëse, për shembull, lëvizja “Bashkim
e Çlirim” nënvizon veçanërisht aspektin komunitar të fesë dhe mishërimin e saj në
jetën e një bashkësie, që në nivelin më të lartë është Kisha, “Përtëritja në Shpirtin
Shenjt” e vë theksin në veprimin e vazhdueshëm të Shpirtit Shenjt, i cili ua përtërin
jetën besimtarëve. Të shumtë janë ata, që i afrohen fesë, pasi janë takuar me ndonjë
anëtar të këtyre shoqatave apo lëvizjeve, të cilët u dëshmojnë me vepra e jo vetëm
me fjalë, se e shohin ndryshe nga të tjerët jetën e përditshme, me gëzimet e me vështirësitë
e veta, pa u frikësuar, të sigurtë se Zoti është me ta gjithmonë, për t’i ndihmuar
e për t’i shoqëruar. Prandaj, dekreti konciliar “Apostolicam actuositatem” u hap udhën
shoqatave e lëvizjeve, duke këshilluar të mos shihen me dyshim, si grupe që e prishin
unitetin e Kishës, por si pasuri për bashkësinë e krishterë, me kusht që t’i binden
autoritetit kishtar.