Të shtunën e kaluar, më 6 korrik, në Katedralen e së Lumes Nënë Terezë në Vau-Dejës,
u kremtua shugurimi meshtarak i dom Artur Kolës, prift i dioqezës së Sapës. Kështu,
pas dioqezave të Tiranës e Lezhë edhe Dioqeza e Sapës me gëzim e falënderim ndaj Zotit,
me datën 6 korrik përjetoi momente të gëzueshme në këtë ditë hiri të veçantë
që Zoti i dhuroi me shugurimin meshtarak të diakonit Dom Artur Kola përmes
lutjes së Shugurimit dhe vendosjes së duarve të Shkëlqesisë së Tij Imzot Lucjan Avgustini.
E pas një përgatitjeje të gjatë, ky i ri, duke marrë Urdhërin e Shenjtë të Meshtarisë,
është i thirrur tashmë të predikojë Ungjillin, t’u prijë veprimeve të kultit e të
zhvillojë një rol drejtues në popullin e Hyjit, duke bashkëpunuar në mënyrë të ngushtë,
me Eprorët dhe me Ipeshkëvin, që është shenjë e gjallë e Krishtit, në mesin e popullit
të Hyjit. Kremtimi u mbajt në Katedralen e së Lumes Nënë Terezë në Vau-Dejës me
një pjesëmarrje të madhe të popullit të Zotit, meshtarë nga dioqezat e nga Shqipërisë,
motra të kongregatave të ndryshme, familjarët, miqtë dhe dashamirët e Meshtarit të
Ri. Në fillim të kësaj liturgjie të Shenjtë, ka përshëndetur Vikari Gjeneral i
Sapës, Dom Simon Kulli i cili falënderoi Zotin për dhuratën që i bëri kësaj dioqeze,
ka falënderuar të gjithë të pranishmit që kishin ardhur për të lutur Zotin në Shugurimin
e Dom Arturit, si dhe të gjithë ata që ndikuan dhe formuan në përgatitjen e tij për
meshtar. Pas riteve fetare të Ungjillit të ditës, fjalën e rastit e mbajti vetë Bariu
i kësaj grigje, Imzot Lucjan Avgustini duke thënë se: “mbarë Dioqeza e Sapës gëzon
së bashku me psalmistin dhe lutet në gëzimin që ka “Sot është dita që na e dhuroi
Zoti”. Dhe të gjithë së bashku shprehim falënderimin ndaj të madhit Zot për dhuratat
e meshtarisë që po ia dhuron popullit tonë në këtë vit të Fesë. Në vazhdim, ipeshkvi
u ndal në porosinë për meshtarin e ri. Dom Artur, bir fort i dashur që po e merr urdhrin
e meshtarisë: ki parasysh se duke e ushtruar shërbesën e doktrinës së shenjtë je pjesëmarrës
në misionin e Krishtit, të vetmit mësues. Përhape tek të gjithë Fjalën e Zotit, të
cilën vetë e ke pranuar me gëzim. Komunikoja miqësinë me Krishtin të tjerëve sipas
shembullit të martirëve të popullit shqiptar. Detyrën tënde meshtarake ushtroje me
përvujtëri dhe përshpirtëri, duke i bashkuar besimtarët në një familje të vetme, për
t’i drejtuar kah Hyji Atë nëpërmjet Jezu Krishtit në Shpirtin Shenjt Menjëherë
pas homelisë vazhdoi riti i shugurimit të meshtarit të ri. I thirrur nga rektori i
seminarit “Zoja e Këshillit të Mirë”, Atë Ignazio Buffa, Dom Arturi u përgjigj: “Ja
ku jam!”, i cili tregoi se është i gatshëm dhe i denjë për të marrë Urdhrin e Shenjtë,
Meshtarinë. Më pas Imzot Lucjani vazhdoi me ritet e tjera të Shugurimit si marrjen
e veshjes meshtarake, lyerjen krizmale dhe dorëzimin e bukës dhe të verës. Ndërsa
në liturgjinë eukaristike që vazhdoi si zakonisht, i urdhëruari ushtroi për herë të
parë ministerin e tij duke bashkëcelebruar me ipeshkvin dhe me gjymtyrë të tjera të
meshtarisë. Me Urdhrin e Shenjtë, Dom Arturi që sot filloi jetën e re meshtarake,
ku Jezusi bëhet një në të e me të, duke i kërkuar gjithë vetveten. Që sot, në dhuratën
totale të jetës së tij bërë në Krishtin, Shpirti i Shenjtë e veshë me shenjtëri në
mënyrë që të zhvillojë ministerin e tij në besnikëri dhe në dinjitetin e meshtarisë
së tij për të mirën e shenjtërimin e mbarë popullit të Hyjit. Ndërsa me datën
7 korrik, Meshtari i ri Dom Artur Kola kremtoi meshën e parë në vendlindjen e tij,
në famullinë e Shën Panteleonit në Mabë, i cili është ndjerë njëkohësisht mes emocioneve
dhe gëzimit duke bashkëcelebruar me vëllezërit meshtarë. Dhe nëpërmjet lutjeve drejtuar
Zotit, kërkojmë që jeta e Dom Arturit të jetë e karakterizuar nga besnikëria dhe dashuria
e Jezusit, që të jetë gjithnjë e më tepër shenjë e mëshirës së Tij.