Audienca e përgjithshme:Kisha, nëse mbyllet në vetëvete e në të kaluarën, tradhton
identitetin e vet.
“Kisha është apostolike”, por a keni reflektuar ndonjëherë për këtë shprehje, që e
shqiptojmë kur themi Besojmën? Ishte kjo, sot paradite, pyetja e parë e Papës Françesku
drejtuar turmës së besimtarëve e turistëve, ardhur në Romë nga të pesë kontinentet,
mbledhur në Sheshin e Shën Pjetrit për audiencën e përgjithshme. Papa i ftoi të pranishmit
ta zbulojnë gjithë bukurinë e një Kishe, që e predikon, e ruan dhe e çon Ungjillin
deri në skajet më të harruara të botës. I gjatë e tejet i përzemërt, si gjithnjë,
takimi i Atit të Shenjtë me njerëzit, para e pas audiencës.
Të shpallësh
se Kisha është “apostolike”, do të thotë, shpjegoi Papa Françesku, të nënvizosh lidhjen
e saj themelore me Apostujt, me ata 12 burra, që Jezusi, një ditë prej ditësh, i thirri
me emër, për të ndenjur me Të, për ta ndjekur e për t’i nisur të predikonin. Vetë
fjala “Apostull”, na e kujton këtë: në greqisht do të thotë “i dërguar”, “i nisur”.
E puna e parë, që duhet të bëjë apostulli, kujtoi Papa, është të lutet; e dyta, të
kumtojë Ungjillin: “E kur mendojmë për pasardhësit e Apostujve, ipeshkvijtë,
për të gjithë ipeshkvijtë, edhe për Papën, që është ipeshkëv, duhet të pyesim nëse
ky pasardhës i apostullit lutet dhe e kumton Ungjillin” . Kjo ka vlerë për
ne të gjithë, shtoi Papa. Po të duam të jemi apostuj, nuk kemi si të mos pyesim: “A
lutem për shëlbimin e botës e a e kumtoj Ungjillin?”. Kisha apostolike ngrihet
mbi themelin e predikimit të Apostujve: “Feja jonë, Kisha, që deshi vetë Krishti,
nuk ngrihet mbi bazë të një ideje, mbi një filozofi, por mbi vetë Krishtin. Kisha
është si bimë që, në rrjedhë shekujsh, u rrit, hodhi shtat, lidhi e poqi fryte, sepse
rrënjët e saj janë të ngulura thellë në Të e në përvojën themelore të Krishtit, që
patën Apostujt, të zgjedhur dhe të dërguar nëpër botë nga vetë Jezusi”. Një
Kishë apostolike, ruan e transmeton: “Është si lumë, që rrjedh nëpër histori,
zhvillohet, vadit e begaton brigjet, por uji është gjithnjë ai, që gurron nga burimi;
e burimi është Krishti vetë; Ai është i Ngjalluri, i Gjalli, e fjalët e tij nuk kalojnë
kurrë, sepse Ai nuk kalon, është i Gjallë, është mes nesh, këtu; Ai na dëgjon, kur
flasim me Të, na dëgjon; Ai është në zemrën tonë: Jezusi është me ne, sot. E kjo është
bukuria e Kishës: prania e Jezu Krishtit ndërmjet nesh. Prania e Atij, që është i
gjallë, sepse u ngjall”. Kisha është dhurata më e rëndësishme, që na bëri Jezusi: “A
mendojmë ndonjë herë se është pikërisht Kisha, në shtegtim nëpër shekuj, pavarësisht
nga vështirësitë, problemet, ligështitë, ajo që vijon të na transmetojë mesazhin
e vërtetë të Krishtit? Që na fal sigurinë se feja, në të cilën besojmë, është vërtet
ajo, që na komunikoi Krishti?”. Kisha niset për t’ia kumtuar Ungjillin mbarë
botës, thellësisht e vetëdijshme se është misionare: “Një Kishë, që mbyllet
në vetëvete e në të kaluarën, tradhton identitetin e vet. Atëherë, ta rizbulojmë gjithë
bukurinë dhe përgjegjësinë e të qenit Kishë apostolike!”. Në përshëndetjet
përfundimtare Papa Françesku kujtoi me nderim të thellë Shën Margeritën Maria Alakok.
Më pas, Ditën e sotme botërore kushtuar ushqimit, themeluar nga OKB-ja si dhe Ditën
e mospranimit të mjerimit, që do të kremtohet nesër, organizuar nga Lëvizja Ndërkombëtare
‘Bota e katërt’. Një përshëndetje e veçantë, agostinianeve misionare, që kremtojnë
Kapitullin e tyre të përgjithshëm.