2013-11-04 13:09:00

Kosova pas zgjedhjeve, balotazhet do përcaktojnë partinë e parë. Ja lista


Pas votimeve të djeshme në zgjedhjet lokale në Kosovë dy partitë më të mëdha, PDK në pozitë dhe LDK opozitare kanë shpallur fitoren në nivel vendi, ndërkohë që rezultatet e plota paraprake ende nuk janë shpallur nga KQZ.

Sipas rezultateve paraprake të publikuara deri tani edhe nga Demokracia në Veprim, LDK ka shënuar ngritje me numrin e votave në nivel vendi.
Lëvizja Vetëvendosje ka shënuar ngritje në këto zgjedhje dhe në kryeqytet kandidati i saj, Shpend Ahmeti me rreth 31 për qind të votave shkon në balotazh me kryetarin e aktual të Prishtinës e të LDK-së, Isa Mustafa me rreth 43 qind.

Shumica e komunave më të mëdha të Kosovës pritet t'i nënshtrohen garës së balotazhit në zgjedhjet për kryetarët e rinj. Rezultatet paraprake të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve kanë nxjerrë si përfundim vazhdimin e garës për kryetar në komunat si Prishtina, Gjakova, Prizreni, Mitrovica, Peja, Gjilani, Malisheva, Suhareka, Rahoveci e komuna tjera.

Në Prishtinë, balotazhi pritet të zhvillohet ndërmjet kandidatit të LDK-së, Isa Mustafa dhe atij të Vetëvendosjes, Shpend Ahmeti. Në Gjakovë, Mimoza Kusari Lila e Aleancës Kosova e Re do të jetë në balotazh me Pal Lekajn e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës. Një garë interesante pritet edhe në Prizren, ndërmjet kandidatit të Partisë Demokratike të Kosovës, Ramadan Muja dhe atij të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Eqrem Kryeziu. Në Pejë, ndërkaq, sipas rezultateve paraprake, balotazhi pritet të zhvillohet ndërmjet Gazmend Muhaxherit të LDK-së dhe Ali Berishës së AAK-së.

Balotazhit, pritet t’i nënshtrohen edhe kandidatët për kryetar të Gjilanit, Lutfi Haziri i LDK-së dhe Qemajl Mustafa i PDK-së.
Edhe për Mitrovicën e Jugut, pritet të ketë balotazh ndërmjet kandidatit të PDK-së, Avni Kastrati dhe atij të AKR-së, Agim Bahtiri.
As komuna e Ferizajt nuk ka zgjedhur në raundin e parë kryetarin. Për të kreun e Ferizajt, votuesit e kësaj komune do të kenë mundësinë të votojnë për kandidatin e PDK-së, Agim Aliu dhe atë të LDK-së, Muharrem Svarça. Po ashtu, balotazh, pritet të ketë edhe në Malishevë, ndërmjet kandidatit, Ragip Begaj nga iniciativa qytetare për Malishevën dhe Sali Morina nga LDK-ja. Edhe Rahoveci, pritet të shkoj në balotazh me kandidatët, Idriz Vehapi i PDK-së dhe Smajl Latifi i AAK-së.

Një risi në këto zgjedhje paraqet edhe lista serbe, subjekt ky i sponsorizuar nga Beogradi zyrtar, e cila ka siguruar balotazh në komunat me shumicë serbe, të cilat në mandatin e kaluar janë udhëhequr nga subjekte politike lokale ndaj shtetit të Kosovës. Gara e balotazhit për kryetarët e komunave pritet të zhvillohet më 1 dhjetor.
Ndonëse mbetet të priten rezultatet përfundimtare të votimeve të djeshme dhe të balotazheve në shumë komuna vlerësohet se dje Kosova zhvilloi zgjedhje për ndryshime.

"Ndryshon Kosova", është një nga kryetitujt e shtypit të sotëm kosovar, ku theksohet se "zgjedhjet lokale po e ridefinojnë skenën politike në Kosovë", ndërsa një kryetitull tjetër është "Zgjedhjet nisin ndryshimet – dështojnë në veri".

Në veri dje incidentet në disa vendvotime ndërprenë votimet dhe KQZ mbrëmë nuk publikoi as përqindjen e pjesëmarrjes në zgjedhje në katër komuna atje – Mitrovicë e Veriut, Leposaviç, Zveçan e Zubin Potok.

Lehtësuesit e OSBE-së për zgjedhje janë detyruar të tërhiqen nga vendvotimet në Mitrovicën e Veriut mes orës 17:00 dhe 18:00 për shkak të incidenteve të rënda dhe shqetësimeve të sigurisë. 70 pjesëtarë të OSBE-së janë tërhequr dhe asnjëri nga ta nuk është lënduar, njoftoi mbrëmë Misioni i OSBE në Kosovë.

Si përgjigjje ndaj kësaj, OSBE ka kërkuar autorizim nga KQZ-ja që t’i mbyllë vendvotimet në tri komunat tjera veriore në orën 18:30 dhe t’i mbajë në posedim materialet zgjedhore.
Aktualisht, materialet zgjedhore nga tri komunat veriore janë në posedim të OSBE-së.

Lista
Më poshtë po i japim rezultatet e KQZ-së në përqindje që janë rifreskuar deri në 09:00

Prishtina: LDK 43. 22 % dhe Vetëvendosje 31. 54 % ne balotazh;

Podujeve: LDK 50.07 pa balotazh

Mitrovice: PDK 42. 28 % dhe AKR 21.84 % në balotazh;

Vushtrri: PDK 38.06 % dhe AAK 22.07 në balotazh;

Obiliq: LDK 28.76 % dhe AAK 24.55 në balotazh:

Fushe-Kosove: LDK 64. 08 pa balotazh;

Lipjan: LDK 35.56 % dhe PDK 35.16 % në balotazh:

Ferizaj: PDK 38.81 % dhe LDK 34.19 % në balotazh:

Kaqanik: PDK 50.51 pa balotazh;

Hani i Elezit: Rufki Suma pa balotazh;

Gjilan: LDK 39.76 % dhe PDK 25.96 % në balotazh;

Kamenice: LDK 32.94% dhe PDK 32.68 % ne balotazh:

Viti: LDK 37.71 % dhe PDK 23.69 % në balotazh:

Prizren: PDK 37. 08 % dhe LDK 25.22 % në balotazh:

Malisheve: IQM 42.12 % dhe PDK 25.88 % në balotazh:

Shtimje: PDK 50.11 pa balotazh;

Suhareke: LDK 34.95 % dhe AAK 29.70 % në balotazh:

Rahovece: PDK 40.13 % dhe AAK 32.79 % në balotazh:

Gjakove: AKR 40.9 % dhe AAK 36.77 % në balotazh:

Peje: LDK 40.46 % dhe AAK 36.03 % në balotazh:

Junik: AAK 47.29 % dhe LDK 33.20 % në balotazh:

Kline: PDK 42.35 % dhe LDK 25.11 në balotazh:

Istog: LDK 50.71 % pa balotazh;

Skenderaj: PDK 89.2 pa balotazh;

Drenas: PDK 60.41 pa balotazh;

Dragash: PDK 34.06 dhe LDK 30.64 ne balotazh:

(d.b/BalkanWeb)








All the contents on this site are copyrighted ©.