2013-11-05 13:36:08

Kumbaro: Thesari i trashëgimisë u kthye i mangët nga Kosova


NGA: FATMIRA NIKOLLI
Një pjesë e koleksionit prej 260 objektesh të thesarit të trashëgimisë kulturore, që u ekspozuan në Kosovë me rastin e 100-vjetorit të pavarësisë, mungojnë. Ka qenë vetë ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro, që ka deklaruar se ka mospërputhje mes procesverbaleve të dorëzimit dhe të kthimit në atdhe të këtij koleksioni. Deklarata e saj është bërë dje gjatë raportimit në komisionin e Medias, ndërsa koleksioni i rrallë, ndryshe nga udhëtimi që bëri në muzetë e Italisë, në atë të Kosovës, ka qenë pa policë sigurimi.

Por "kundër" ministres del specialisti Spiro Nika. Në një intervistë për "GSH" rreth 1 javë më parë, ai qe shprehur se objektet e ekspozitës "Thesaret e Trashëgimisë" janë kthyer në atdhe dhe madje janë shpërndarë në muzetë ku ishin marrë. I kontaktuar sërish dje, pas deklaratës së ministres, Nika tha se ka dijeni për deklaratat e Kumbaros, porse lista e objekteve që kishte dalë nga Shqipëria për t'u ekspozuar në Itali e pastaj në Kosovë është kthyer sërish. "Unë jam marrë me këtë ekspozitë që në fillim. Di të them se çdo objekt që e kam marrë nëpër muzetë e Shqipërisë për ta bërë pjesë të kësaj ekspozitë e kam kthyer sërish dhe aktualisht janë nëpër muze. Nuk janë zhdukur objektet e Thesarit të Trashëgimisë", tha ai. I pyetur se mbi se bazohet ministrja për të bërë një deklaratë të tillë të bujshme, për aq kohë sa nga grupi i punës që është marrë me ekspozitën nuk ka pasur raportime për probleme, Nika tha se zotëron dhe mund të bëjë publike të gjitha procesverbalet e mbajtura për objektet. "Nuk e di se çfarë ka pasur parasysh ministrja. Mbase problemi është me dokumentacionin. S'e di. Them me siguri se objektet janë të gjitha në 'shtëpitë e tyre' shëndoshë e mirë", përfundoi Nika, specialist pranë IMK-së.

Në këtë rast mbetet e paqartë se kujt i duhet besuar: ministres apo specialistit?! Paçka kësaj përplasje deklaratash, problemi kryesor mbetet siguria e trashëgimisë.

Komisioni
Nga ana tjetër, në raportimin e saj para komisionit të Medias, ministrja e Kulturës ka deklaruar se të gjitha institutet e monumenteve në vend do i nënshtrohen një reforme të thellë, ku synohet që të ketë më shumë specialist në terren që verifikojnë situatën. Sa i takon çështjes së Shtëpisë së Flamurit në Korçë, Kumbaroi tha se "ky monument nuk ekziston më. Trualli u shtrua me pllaka. Po e trajtojmë me prioritet. Kam thirrur në takim pronarët e shtëpisë. Do të diskutojmë për këtë çështje. Vullneti ynë është të rigjejë formën që kishte më parë". Ajo bëri me dije se MK-ja po harton një draft të ri që rregullon marrëdhëniet për çështjet e trashëgimisë kulturore, por edhe do të sanksionojë me ligj rregullat për koleksionistët privatë.

Ajo vuri në dukej faktin se shteti nuk e mbron dot trashëgiminë kulturore, ndaj është i domosdoshëm dhe afrimi me sektorin privat. "Do të ketë reformë në sistemin e trashëgimisë kulturore. Shteti nuk e përballon dot i vetëm mbrojtjen e trashëgimisë ndaj dhe është domosdoshmëri afrimi me sektorin privat, por pa cenuar trashëgiminë. Më parë na duhet ta shpëtojmë nga rreziku dhe shkatërrimi, ndaj edhe një nga veprimet e para ka qenë frenimi i së keqes me të moratoriumin e ndërtimeve në Gjirokastër, Berat e Krujë". Ndërkaq, sipas ministres, dikasteri që ajo drejton po punon në dy drejtime: ristrukturim të drejtorive të trashëgimisë në ministri dhe riformatim të Këshillit Kombëtar të restaurimeve dhe arkeologjisë.

(d.b/GazetaShqiptare/BalkanWeb)








All the contents on this site are copyrighted ©.