2013-11-09 16:55:21

Dhimbja e thellë e Papës për viktimat e tifonit në Filipine: të paktën 10.000 të vdekur


Dhimbje të thellë ndjen Papa për atë, që po ndodh në Filipine, ku kalimi i tifonit të papërballueshëm Haiyan-Yolanda, shkaktoi vdekjen e më se 10.000 vetëve, sipas burimeve të Kryqit të Kuq. Papa u njoftua për situatën kritike, që po jeton vendi dhe, me një tweet në gjuhën angleze, i shprehu afërsinë e tij popullsisë, duke u kërkuar besimtarëve të luten për shpirtin e të vdekurve: “Ju kërkoj të gjithëve të bashkoheni me mua në lutje për viktimat e tifonit, posaçërisht për ata, që humbën jetën në Filipinet e dashura”, shkruan Ati i Shenjtë.
Zona më e dëmtuar është Taclobani, në ishullin Leyte, në qendër të arkipelagut të Filipineve, ku tifoni la pas dëme katastrofike, duke shkatërruar pothuajse të gjitha ndërtesat, përfshirë edhe aeroportin. Pak shtëpi janë ende në këmbë këtu, ku tifoni shkaktoi edhe pjesën më të madhe të viktimave, numri i të cilave, me kalimin e orëve, vijon të rritet. Bashkësi të tëra janë zhdukur përballë furisë së ngjarjes atmosferike më të papërballueshme të vitit, në nivel planetar. Largimi i 800 mijë vetëve në zona më të sigurta, mundi të mënjanojë një humbje edhe më të madhe jetësh njerëzore. 130 mijë banorë u larguan nga shtëpitë, për t’u strehuar në qendra ndihme, ku jetojnë në kushte të vështira, të rrahur nga shirat e furishme, që pasojnë kalimin e tifonit. E kjo situatë i shkaktoi shqetësime të reja 350 mijë të tjerëve, mbetur pa strehë që nga tërmeti i tetorit. Të gjithë kanë nevojë për ndihmë të shpejtë. E ndihma, lokale dhe ndërkombëtare, ka nisur të ndjehet, sidomos atje ku morti është më i rëndë. Kryqi i Kuq e Unicef, që saktësojnë se ndërmjet 4 milionë të dëmtuarve, 40% janë fëmijë, po organizojnë nisma ndihme në vendet më të dëmtuara, në bashkëpunim me Karitasin filipinas. Ushtria filipinase ka aktivizuar 15 mijë ushtarë për shpërndarjen e ndihmave, por me që kjo veprimtari kryhet vetëm me helikopterë, nuk mund të pritet përgjigje urgjente, për nevoja urgjente.
Programi ushqimor botëror i Kombeve të Bashkuara, Pam, është gati për t’i dhënë gjithë ndihmën e nevojshme qeverisë filipinase, e po kështu edhe Bashkimi Evropian.
Sipas burimeve vendase, më se 12 milionë banorë, 1/3 e popullsisë, u dëmtuan nga tifoni, i cili u drejtua kah bregdeti vietnamez, i ndjekur nga shira të rrëmbyera mbi një zonë shumë të gjerë, që përfshin edhe Manilën. Ndonëse forca e tifonit ka rënë nga niveli i pestë, në atë të katërt, ka mundësi të rimarrë forcë duke kaluar mbi detin jugor kinez. Ndërkaq Vietnami ka evakuar më se 6 mijë vetë.
Për hollësira, u lidhëm telefonikisht me atë Sebastian D’Ambra, misionar i Pime, që na flet nga Zamboanga:


Përgjigje: - Gjendje shumë e rëndë. Është tifoni më shkatrrimtar i kohëve të fundit. Thuhet se miliona njerëz u dëmtuan në mënyra të ndryshme. Mijëra e mijëra kërkojnë strehë, ndërsa flitet për një numër të papërcaktuar njerëzish të vdekur e të humbur. E parashikohet që të jenë shumë, shumë më tepër, me kalimin e orëve e arritjen e lajmeve të reja.

Pyetje: - Si po shkon shpërndarja e ndihmave?

Përgjigje: - Ka një plan emergjence, që po vihet në jetë nga ana e qeverisë e situata po koordinohet, por në disa zona është e pamundur të shkelet. Janë ndërperë të gjitha komunikimet telefonike: gjithçka është shkatërruar!Vijnë lajme me të vërtetë alarmante!

Pyetje: - Është aktivizuar Karitasi i Kishës filipinase?

Përgjigje: - Sigurisht! Është në këmbë e gjithë struktura e famullive si dhe të gjitha realitetet e ndryshme, që zakonisht janë në dioqezat. Tani shpresojmë se organizatat ndërkombëtare do të bëjnë ç’është e mundur për të na ndihmuar. E sikur të mos mjaftonte tmerri i tifonit, këtu, në Zamboanga, më 9 shtatorin e kaluar, u sulmuam nga Fronti i Çlirimit Kombëtar Moro(Mnlf), sulm që la pas 10 mijë shtëpi të djegura, qindra të vdekur e mijëra të shpërngulur. Pa folur për dëmet e tërmetit. Lutuni prandaj, për ne. E na ndihmoni!
Pyetje: - Ju theksuat fjalët “lutuni” e “qëndrojini pranë popullsisë së dëmtuar”…

Përgjigje: - Lutja është mjet i madh. Besoj se, si në raste të tjera fatkeqësish të natyrës, do t’i ndihmojë njerëzit të tregohen solidarë, ta ndihmojnë njëri-tjetrin.











All the contents on this site are copyrighted ©.