2013-11-22 14:01:22

Të përngjamët e Krishtit


Mos është vallë gjë e madhe që unë të të shërbej ty, Zoti të cilit çdo krijesë duhet t’i shërbejë? Jo, shërbimi ndaj teje nuk duhet të më duket gjë e madhe; përkundrazi, duhet të më duket gjë e madhe që ti, një njeri si unë, kaq të mjerë e pa asnjë meritë, denjon ta pranosh si shërbëtor, duke e përfshirë me shërbëtorët e tu të zgjedhur. Ty të përket pa dyshim gjithçka që unë kam e me të cilën të shërbej. Por, je ti ai që më shërben mua, më shumë sesa unë ty. Ja, menjëherë u binden urdhrave të tu qielli e toka, që ti i ke krijuar për t’i shërbyer njeriut. E kjo është pak, se deri edhe engjëjt i ke vënë në gatishmëri, për t'i shërbyer njeriut. Por, përmbi të gjitha këto, është fakti se ti vetë ke denjuar t’i shërbesh njeriut, duke i premtuar vetë dhurimin tënd. Po unë, çfarë mund të jap për të gjitha këto të mira? Ah, sikur të mund të të shërbeja të gjitha ditët e jetës sime! Sikur të mund të të shërbeja si duhet, qoftë edhe për një ditë të vetme!
Në të vërtetë, ty të takon çdo shërbim, çdo nderim e çdo lavdi, në amshim. Në të vërtetë ti je Zoti im e unë jam shërbëtori yt i mjerë, që duhet të vërë në shërbimin tënd të gjitha forcat, pa u lodhur kurrë së kënduari lavdet e tua. Kjo është dëshira ime, ky është vullneti im. Denjohu ti të më ndihmosh, se jam i brishtë.

Nga Shkrimi i Shenjtë
“Për një gjë i jam lutur Zotit, vetëm këtë i kërkoj: të banoj në shtëpinë e Zotit të gjitha ditët e jetës sime” (Ps 27)
“Ma dëfto, o Zot, rrugën tënde, më prij në udhën e drejtë” (Ps 27)
“Ti je streha ime, o Zot, ti je shorti im në tokën e të gjallëve” (Ps 142)








All the contents on this site are copyrighted ©.