2013-11-25 16:41:26

Papa: Të krishterët të marrin vendime përfundimtare, siç dëshmojnë martirët e të gjitha kohërave


Duhet të kemi besim tek Zoti kur të gjendemi në ngushticë. Kjo është thirrja që bëri Papa Françesku në meshën e mëngjesit në Shtëpinë e Shën Martës. Papa nënvizoi se të krishterët janë të thirrur të marrin vendime përfundimtare, sikurse na mësojnë martirët e të gjitha kohërave. Edhe sot, vërejti Ati i Shenjtë, ka vëllezër të përndjekur, që na shërbejnë si shembull e na inkurajojnë të kemi besim të plotë në Zotin.RealAudioMP3
Mund ta zgjedhim Zotin “kur të gjendemi në ngushticë”. Papa Françesku e shtjelloi homelinë, duke u ndalur tek figurat, që na paraqesin Leximi i Parë, nga Libri i Danielit, dhe Ungjilli: të rinjtë hebrenj, që ishin skllevër në oborrin e Nabukodonozorit, dhe e veja, që shkon në Tempull për të adhuruar Zotin. Të dyja rastet, vërejti Papa, janë të skajshme: e veja është në gjendje të mjerueshme; të rinjtë janë skllevër. E veja hedh në thesarin e tempullit gjithçka që kishte; të rinjtë i rrinë besnikë Zotit, duke rrezikuar jetën:
“Të dyja palët – të rinjtë dhe e veja – kanë rrezikuar. Në rrezikun e tyre, kanë zgjedhur Zotin, me zemërgjerësi, pa interes vetjak, pa zemërngushtësi. Nuk u sollën me zemërngushtësi. Zoti, Zoti është gjithçka. Zoti është Hyj dhe patën besim në Zotin. E këtë nuk e kanë bërë me forcë – mund t’ia lejoj vetes të them – fanatike, jo: ‘Këtë duhet ta bëjmë, o Zot!’. Jo! Ka diçka tjetër këtu: kanë pasur besim, sepse e dinin se Zoti është besnik. Janë mbështetur në besnikërinë, që nuk mungon kurrë, sepse Zoti nuk mund të ndryshojë, nuk mundet: është gjithmonë besnik, nuk mund të mos jetë besnik, nuk mund të mohojë vetveten”.
Ky besim në Zotin, shtoi, i ka shtyrë të bëjnë këtë zgjedhje për Zotin”, sepse e dinë se Ai “është besnik”. Kjo zgjedhje vlen kur bëhet fjalë për gjëra të vogla e për gjëra të mëdha e të vështira:
“Edhe në Kishë, në historinë e Kishës, ka burra, gra, pleq, të rinj, që bëjnë zgjedhje të tilla. Kur dëgjojmë jetën e martirëve, kur lexojmë nëpër gazeta përndjekjen e të krishterëve, sot, sjellim ndër mend këta vëllezër e motra në ngushticë, që marrin këtë vendim. Ata jetojnë në këtë kohë. Janë shembull për ne e na japin zemër, që të hedhim në thesarin e Kishës gjithçka kemi për të jetuar”.
Zoti, tha Papa, i ndihmon të rinjtë hebrenj, që gjenden në skllavëri, për të dalë nga vështirësitë. Edhe e veja ka ndihmën e Zotit. Jezusi e lavdëron dhe tek lëvdata është fitorja:
“Na bën mirë të sjellim ndër mend këta vëllezër e motra që, gjatë gjithë historisë sonë, edhe sot, marrin vendime përfundimtare. Por le të kujtojmë edhe shumë nëna, shumë etër familjesh, që çdo ditë marrin vendime përfundimtare, për të ecur përpara me familjen e tyre, me fëmijët. E ky është thesar në Kishë. Ata na japin dëshminë dhe, përballë kaq shumë njerëzish, që na japin dëshmi, t’i kërkojmë Zotit hirin e guximit, të guximit për të ecur përpara në jetën tonë të krishterë, në situatat e zakonshme, të rëndomta, të çdo dite, si edhe kur gjendemi ngusht.







All the contents on this site are copyrighted ©.