2013-11-25 16:39:44

Rubrika “Te gurra e besimit”: Askush nuk beson i vetëm(Emisioni XXXIII)


Si mund ta fitojmë një fe të gjallë, një fe vërtet katolike, një fe konkrete, jetëdhënëse, të frytshme? Kësaj pyetjeje i jep përgjigje emisioni XXXIII i rubrikës “Te gurra e besimit”, që na kujton se feja, në fund të fundit, është dhuratë. Prej këndej, kushti i parë është ta pranojmë dhuratën, të mos mendojmë se nuk kemi nevojë për dhurata, se na mjafton vetvetja. Të mos e bëjmë gjithçka vetë, mbasi, edhe po të duam, nuk mundemi, por të fitojmë vetëdijen se Zoti dhuron me të vërtetë. T’ia hapësh zemrën Zotit do të thotë të lutesh. T’ia hapësh zemrën Zotit e dhantisë së tij, do të thotë të bësh hapin e parë për të marrë një gjë, të cilën ne nuk mund ta kemi, sepse nuk mund ta bëjmë vetë. Hapja e zemrës, lutja: “Ma jep fenë, o Zot!”, duhen bërë me gjithë vetveten. Duhet të jemi vërtet të gatshëm për ta pranuar dhuratën e për ta lënë të na depërtojë në mendje, në zemër, në vullnet. Këtu ka shumë rëndësi të nënvizohet një pikë themelore: askush nuk beson fill i vetëm. Ne besojmë gjithnjë në e me Kishën. Besojma është gjithnjë akt, që jetohet me të tjerët, është radhitje në një bashkim udhe, jete, mendimi. Nuk jemi ne, që e ‘bëjmë’ fenë, edhe në kuptimin se ajo nuk duhet të shpiket nga ne. Në bashkimin e fesë, të Kishës, duhet hyrë me gjithë shpirt. Të besosh është akt katolik në vetvete. Është pjesëmarrje në shpresën e madhe, të pranishme në subjektin e gjallë, që është Kisha. Vetëm kështu mundemi ta kuptojmë Shkrimin Shenjt. Është Shkrim, sepse element, shprehje e një subjekti të vetëm – Popullit të Zotit – që në shtegtimin e tij, mbetet gjithnjë i njëjti subjekt. Natyrisht, subjekt, që nuk flet për vetveten, por subjekt i krijuar nga Hyji – shprehja klasike është “i frymëzuar” – subjekt që e merr, pastaj e vë në jetë dhe e komunikon Fjalën e Zotit. Ky bashkëveprim është shumë i rëndësishëm. E dimë se Kurani, sipas fesë islamike, është fjala e dhënë drejtpërdrejt nga Hyji, pa ndërmjetësi njerëzore. Profeti nuk ka të bëjë me të. Ai vetëm e shkroi dhe e komunikoi. Është pastërtisht Fjala e Zotit. Ndërsa sipas nesh, Hyji hyn në komunikim me ne. Na bën të bashkëpunojmë, krijon një subjekt e, në këtë subjekt, rritet e zhvillohet Fjala e Tij. Pjesa njerëzore është themelore, e na jep edhe mundësinë të shikojmë sesi fjalët e veçanta bëhen me të vërtetë Fjala e Hyjit vetëm në unitet me gjithë Shkrimin Shenjt, në subjektin e gjallë të popullit të Zotit. Prej këndej, elementi i parë është dhurata e Zotit; i dyti, pjesëmarrja në fe e popullit shtegtar, komunikimi në Kishën e Shenjtë, e cila, nga ana e saj, e merr Fjalën e Hyjit, që është Korpi i Krishtit, të gjallëruar nga Fjala, nga Logos hyjnore. Duhet ta thellojmë ditë për ditë këtë bashkim me Kishën Shenjte e kështu, edhe me Fjalën e Zotit. Nuk janë dy gjëra të kundërta, që të mund të themi: jam më shumë për Kishën, ose jam më shumë për Fjalën e Zotit. Vetëm duke i pranuar së bashku jetohet në Kishë, bëhet pjesë në Kishë, i përkitet Kishës, jetohet Fjala e Zotit, që është forca e jetës së Kishës. E kush e jeton Fjalën e Zotit, mund ta jetojë vetëm sepse kjo Fjalë rron në Kishë, është jetike në Kishën e gjallë.







All the contents on this site are copyrighted ©.