2013-12-02 15:00:55

Papa, ipeshkvijve holandezë: të krishterët të jenë të pranishëm në vende ku vendoset ardhmëria


Të krishterët duhet të jenë të pranishëm, në vendet ku vendoset ardhmëria e të japin kontributin e tyre për problemet e mëdha shoqërore, si ai i familjes, i martesës, i fundit të jetës: këtë pohoi Papa, duke pritur, sot paradite, ipeshkvijtë holandezë për vizitë ‘ad Limina’.
Ati i Shenjtë bisedoi gjatë me prelatët e ardhur nga Holanda, të cilëve pastaj u dorëzoi një tekst të shkruar. I vlerësoi për kujdesin ndaj grigjës, që u është besuar, duke e pasur mirë parasysh se nuk është e lehtë ta ruash shpresën, në rrethana të vështira. Papa theksoi ushtrimin kolegjial të shërbimit ipeshkvnor, në bashkim me Ipeshkvin e Romës, formimin sa më të kujdesshëm të meshtarëve, domosdoshmërinë për t’i dalluar shenjat e shpresës, që flasin për praninë e Zoti mes nesh.
Nënvizoi se Kisha përpiqet me durim amtar t’u përgjigjet anktheve të njerëzve të sotëm, thellësisht të shqetësuar për të ardhmen dhe i porositi prelatët të jenë gjithnjë pranë atyre që vuajnë, që e kanë shpirtin bosh, që kërkojnë kuptimin e jetës. Të armatosur me shpresën, dhuratë e vetë Krishtit për Kishën, të cilën e ndihmon të jetë më e vërtetë, më e kuptueshme, më baritore.
Papa u ndalua edhe tek frytet e Vitit të Fesë, tek veprimtaria për t’ua kumtuar fenë gjithë njerëzve, me vetëdijen se antropologjia e krishterë dhe doktrina shoqërore e Kishës, bëjnë pjesë në trashëgiminë e në përvojën e njerëzimit, mbi të cilën bazohet qytetërimi evropian. E kjo mund të ndihmojë shumë për të ripohuar përparësinë e njeriut mbi teknikën e mbi strukturat, gjë që nënkupton edhe hapjen e zemrës për Zotin. Foli edhe për zhvillimin social, Papa, për shtimin e radhëve të të varfërve në vendet e pasura si Holanda, luftën kundër varfërisë, edukimin e ndërgjegjeve, çështjet e mëdha, si familja, martesa, fundi i jetës, ekumenizmi, dialogu e sidomos, për gjetjen e rrugëve më të mira në kumtimin e Ungjillit. Vëllazërisht ju kërkoj, tha në përfundim të bisedës Ati i Shenjtë, mos harroni të luteni për mua!









All the contents on this site are copyrighted ©.