2014-05-07 17:24:42

Simpozium në Vatikan. Imzot Sorondo: të sensibilizohet opinioni publik për ndryshimet e klimës


Të sensibilizohet politika dhe opinioni publik për mundësinë e zhvillimit, pa shkaktuar dëme në ambient. Me këtë synim, u mbajt në Vatikan, një kuvend i organizuar nga Akademia Papnore e Shkencave. Shkencëtarët e ardhur nga universitete të njohura ndërkombëtare nënvizuan rreziqet, që i vijnë botës nga ngrohja e vazhdueshme e Tokës. Kancelari i Akademisë, imzot Marcelo Sànchez Sorondo mbylli dje punimet. Ja ç’tha në intervistën për Radio Vatikanin:RealAudioMP3
Ekziston një ndryshim i klimës, që varet nga veprimtaria e njeriut. Shumëkush nuk do ta pranojë këtë. Akademia e Shkencave i ka studiuar këto probleme, me një ekip shumë prestigjioz, ku bëjnë pjesë tre Çmime Nobel: Crutzen, Molina dhe Ramanathan. Me qëndrimin e tyre u bashkuan dalëngadalë edhe fizikanët, biologët e së fundi, ekonomistët. Prandaj, mund të themi se, tashmë, është opinion i përbashkët. Problemi më serioz: nga pasojat e ndryshimit të klimës, si ngrohja e Tokës, vuajnë 3 miliard njerëz, praktikisht, gjysma e njerëzimit, që nuk zotëron naftë e nuk i gëzon përfitimet, që vijnë nga nafta.
Flitet për një Enciklikë të mundshme të Papës Françesku për mbrojtjen e Gjithësisë, së krijuar prej Zotit…
Unë dëgjova dialogun e Papës me dy organizatorët. Njëri i tha se problemi është serioz dhe se pasojat i vuajnë më të varfërit e botës. Tjetri i tha se sot nuk mund të kemi zgjidhje të këtij problemi, nëse nuk bashkohen shkencat humane me shkencat natyrore. Natyrisht, Papa ishte i vetëdijshëm për këtë dhe i tha se do të lutej. Akoma nuk ka asgjë zyrtare [për Enciklikën]. Ndoshta do ta shkruajë, meqë ajo e Krijesave të Zotit, e Gjithësisë, është temë themelore.







All the contents on this site are copyrighted ©.