Papa Françesku e nisi lutjen e tij për paqe, duke falënderuar nga zemra presidentët
dhe delegacionet shoqëruese për pritjen që i bënë gjatë shtegtimit në Tokën Shenjte
dhe për pranimin e ftesës që të marrin pjesë në këtë lutje të jashtëzakonshme për
paqen, në një vend të jashtzakonshëm. Ati i Shenjtë shprehu besimin se kjo lutje do
të jetë fillim i një rruge të re në kërkim të asaj, që bashkon, për të kapërcyer gjithçka,
që ndan. Jo më pak, Papa falënderoi edhe Bartolomeun I, praninë e të cilit e quajti
mbështetje të çmuar dhe dëshmi të udhës së të krishterëve drejt bashkimit të tyre
të plotë. Ëndërr vëllazërimi është kjo vizitë, vijoi Papa, që e kryet si bij të
Abrahamit, e shprehje konkrete e besimit në Hyjin, Zotin e historisë, që sot na shikon
nga qielli si vëllezër e dëshiron të na prijë në udhët e Tij. Papa kujtoi, në vijim,
se ky takim shoqërohej nga lutja e mijëra njerëzve nëpër botë: përfaqësues kulturash,
atmesh, fesh të ndryshme, sepse ky takim i përgjigjet dëshirës së zjarrtë të gjithë
atyre, që kanë etje për paqen dhe ëndërrojnë një botë, ku njerëzit mund të jetojnë
si vëllezër e jo si kundështarë e as si armiq. Bota, vijoi të kujtojë Papa, është
trashëgim, që na e lanë paraardhësit tanë, por edhe borxh, që ua kemi pasardhësve:
fëmijëve të lodhur e të këputur nga konfliktet, bijve plot me dëshirë të gëzojnë agimin
e paqes, të rinjve, të cilët duan t’i shembin muret e armiqësisë e të ecin në rrugën
e dialogut e të paqes, që të ngadhënjejnë dashuria e miqësia. Duke folur, më pas,
për viktimat e luftës, Françesku theksoi se flijimi i tyre nuk duhet të jetë i kotë
e kujtimi i tyre duhet t’u japë të gjithëve forcën e guximin për të ecur në rrugën
e paqes, të dialogut, të durimit, për ta siguruar ditë për ditë bashkëjetesën paqësore,
për lumni të Hyjit e për të mirën e të gjithëve. Për të bërë paqe, duhet shumë
më tepër guxim se për të bërë luftë, theksoi në vijim Papa, duhet guxim për t’i thënë
po takimit e jo ndeshjes, po dialogut e jo dhunës, po bisedimeve e jo armiqësive,
po respektit e pakteve e jo provokimeve, po sinqeritetit e jo qëndrimeve dyfaqëshe.
Për të gjithë këtë, duhet guxim, forcë e madhe shpirtërore. Historia tregon, kujtoi
Françseku, se nuk mjaftojnë forcat njerëzore, sepse sa herë njerëzit i afrohen paqes,
aq herë ndërhyn djalli për t’i penguar. Prandaj jemi këtu, theksoi, ngaqë e dimë dhe
e besojmë se kemi nevojë për ndihmën e Zotit. Duhet ta coptojmë spiralen e urrejtjes
me një fjalë të vetme: “Vëlla”, e ta pranojmë se jemi bij të një Ati të vetëm. Atij,
vijoi Papa, në Shpirtin e Jezu Krishtit, po i drejtohem, duke kërkuar ndërmjetësimin
e Virgjërës Mari, bijë e Tokës Shenjte e Nëna jonë: “O Zot Hyj i paqes, dëgjoje
lutjen tonë:Provuam shumë herë e shumë vite me radhë t’i zgjidhim konfliktet
me forcat tona e edhe me armët tona: shumë çaste armiqësie e errësire: shumë gjak
i derdhur, shumë jetë të këputura; shumë shpresa të varrosura… Po përpjekjet tona
qenë të kota. Tani, o Zot, ndihmona Ti! Jepnae Ti paqen! Na e mëso paqen, na prij
Ti drejt paqes. Hapi sytë tanë e zemrat tona e na jep guximin të themi: “Kurrë më
luftë!”. “Me luftë gjithçka shkatërrohet”. Dikoje në ne guximin të kryejmë gjeste
konkrete për ta ndërtuar paqen! O Zot, Hyj i Abrahamit e i Profetëve, Zot Dashuri,
që na krijove e na thirre të rrojmë si vëllezër, na e jep forcën të jemi ditë për
ditë mjeshtra të paqes; na e jep aftësinë t’i shikojmë me dashamirësi të gjithë vëllezërit,
që i takojmë në udhën tonë. Jepnae gatishmërinë ta dëgjojmë britmëm e qytetarëve tanë,
që kërkojnë t’i shndërrojmë armët në mjete paqeje, frikën në besim, tensionet në falje!
Mbaje të ndezur në ne flakën e shpresës për të bërë me durim e ngulm zgjedhje dialogu
e pajtimi, që më në fund të fitojë paqja. E që nga zemra e çdo njeriu të shlyhen fjalët:
përçarje, urrejtje, luftë. O Zot, çarmatosi gjuhën e duart, përtëriji zemrat e mendjet,
që fjala, e cila na bën të takohemi, të jetë gjithnjë “vëlla” e stili i jetës sonë
të bëhet shalom, paqe, salam! Amen!".