2014-06-12 12:55:59

Kardinali Koch: ekumenizmi është sinqeritet, jo mirësjellje për fasadë


Dukja, ndalja tek fasada, pa e provuar vërtetësinë e marrëdhënieve – duke pranuar me sinqeritet çfarë të mire sjellin, por edhe të metat e tyre – nuk i bën mirë dialogut ekumenik. Ky është thelbi i mesazhit të kardinalit Kurt Koch, kryetar i Këshillit Papnor për Zhvillimin e Bashkimit të Krishterëve, që u lexua të hënën, në hapjen e punimeve të Konferencën për Ekumenizmin Përvetësues, që po zhvillohet në Fairfield University të Connecticut-it (SHBA).
Duke përmendur praninë e tij përkrah Papës Françesku në shtegtimin në Tokën e Shenjtë, veçanërisht në çastin e përqafimit me Patriarkun ortodoks Bartolomei I, 50 vjet pas gjetit analog të Palit VI me Atenagorën, kardinali Koch vëren se në gjysmëshekullin e shkuar, dialogut të themeluar mbi të vërtetën dhe dashurinë ka dhënë fryte të shumta.
Në një nga predikimet mbi simpatinë, kardinali John Henry Newman, kujton kryetari i dikasterit për bashkimin e të krishterëve, shprehu bindjen se “të krishterët janë shumë më të ngjashëm me njëri-tjetrin, edhe në dobësitë e tyre, nga sa mund të jetë menduar shpesh herë”. I lumi Newman përshkruante veçanërisht prirjen e të krishterëve të Kishave të ndryshme “për të mos u thelluar krejtësisht në plagët” e natyrës së tyre, duke parapëlqyer të tregohen “të dashur e të përzemërt me njëri-tjetrin me fjalë e me vepra”, por pa një “dashuri të madhe”. “Të përbrendshmet e dashamirësisë sonë janë të ngushta – thoshte Newman –, kemi frikë nga një marrëdhënie me rrënjë të thella, për rrjedhojë, feja jonë, e parë si sistem shoqëror, është e zbrazët”.
Kardinali Koch thotë se ky mendim vlen jo vetëm për të krishterët e veçantë, por edhe për bashkësitë e tyre: “Standardi i shenjtërisë sonë ka rënë dhe pamja jonë e të vërtetës është errësuar”, thotë prelati, por “dialogu i vërtetë, që propozon Ekumenizmi Përvetësues, në të cilin pranimi me ndershmëri i dobësive shndërrohet në lidhje përbashkuese”, na ndihmon të shkojmë përtej fasadave, përfundon kardinali Koch.
Ekumenizmi përvetësues është takim mes të krishterësh, me qëllimin për të përvetësuar anët pozitive të kishave të tjera.








All the contents on this site are copyrighted ©.