Sot, lutje për paqen në Irak. Imzot Sako: vendi digjet
Sot, në festën e Shndërrimit të Zotit tonë Jezu Krisht, shoqata “Ndihmë për Kishën
që vuan”, e mirënjohur në Shqipëri, organizoi Ditën e lutjes për paqen në Irak, që
u kremtua me pjesëmarrjen e Kishës Katolike vendase. Që mbrëmë, të krishterët u mblodhën
në kishën e Shën Gjergjit dhe u lutën për të krishterët e Mosulit e për ata të Pllajës
së Ninives, e cila kërcënohet nga milicët e Shtetit Islamik të Irakut e Sirisë (ISIS).
Me shpalljen e Kalifatit mysliman, të krishterët shpërngulen me forcë nga shtëpitë
e nga toka e stërgjyshërve të tyre. Jo më larg se pardje, në veri të Irakut, në Sinjar,
teatër dhune nga ana e xhihadistëve, u gjetën trupat pa jetë të 40 fëmijëve të pakicës
etnike e fetare “yazid”. Patriarku i Babilonisë së Kaldejve, imzot Louis Raphael I
Sako, i trishtuar për ngjarjet e fundit, shprehet kështu në mikrofonin tonë:
Ne
besojmë shumë tek lutja, tek solidariteti, tek vëllazërimi, edhe pse gjendja është
shumë e rëndë. Në Sinjar kanë vrarë 70 yazid. ISIS ka marrë peng gratë, të krishterët
janë larguar drejt maleve… Gjithnjë në veri të Mosulit, gjatë bombardimit të një fshati,
është vrarë një i krishterë, ndërsa një grup të rinjsh së bashku me priftin po iknin
nga ai vend. Ka anarki kudo. Sot, jemi ne në shënjestër, sepse të krishterë, por ka
edhe të tjerë, që janë kthyer në objektiv të terroristëve. Sot është festa
e Shndërrimit të Krishtit. Pse është zgjedhur kjo ditë? Kjo datë është simbolike,
sepse Jezusi kishte folur tashmë për vuajtjen dhe vdekjen e tij. Në këtë ditë, Ai
u dha shpresë të madhe dishepujve e duke u bazuar në këtë shpresë, ne lutemi për një
zgjidhje paqësore. Ju shkruat një lutje enkas për sot. Çfarë i kërkoni Zotit
përmes saj? Më ranë ndërmend Psalmet, kur populli i Zotit ishte në vështirësi,
në krizë… Edhe ne këtu kemi shumë vështirësi t’i mbajmë e t’u japim guxim njerëzve.
Dhimbja është tepër e madhe. Nuk ka perspektivë për të ardhmen. Gjithçka është në
flakë në Lindjen e Mesme, në Liban, në Palestinë. E ku të shkojmë atëherë? I themi
Zotit: “O Hyj, mjaft më! Mjaft, jemi lodhur… na ndihmo!”. Njerëzit kanë frikë: dikush
merret peng, familjet kërcënohen… Edhe këtu, në Bagdad, kemi situata të këtij lloji.
Përpiqem të bëj ç’është e mundur për t’i liruar të rrëmbyerit e për të ndihmuar familjet
e kërcënuara. Mendoj se, së bashku me njerëz të tjerë, jam për ta një atë, një mbështetje.
Cila është thirrja juaj në këtë Ditë lutjeje e reflektimi për paqen? Të
them të vërtetën, dje në mëngjes i dërgova një letër Atit të Shenjtë dhe patriarkëve
të Lindjes së Mesme, që të mobilizojnë opinionin ndërkombëtar e të bëjnë presion mbi
krerët e shteteve për të na ndihmuar. Gjithashtu, duhet bërë presion mbi vendet, që
financojnë grupet terroriste dhe ekstremiste, mbi autoritetet myslimane, që t’i dënojnë
sulmet kundër të krishterëve e kundër jomyslimanëve. Jemi anëtarë të së njëjtës familje
njerëzore. Papa Françesku më telefonoi e më inkurajoi të mos dorëzohemi, ta mbajmë
gjallë fenë, shpresën e, lart moralin.