2015-03-22 18:57:00

Papa Françesku vizitoi dje Napolin


E lajmëruar më 19 shtator 2014 nga kryeipeshkvi i Napolit, kardinali Crescenzio Sepe, me rastin e solemnitetit të shën Gjenarit, u krye dje, vizita baritore e Papës Françesku në Pompei e në Napoli. Ati i Shenjtë, siç e ka bërë tashmë zakon, e filloi vizitën nga të fundmit e shoqërisë, nga periferia e Napolit, nga lagjja e mirënjohur e Scampia-s, teatër problemesh me krimin e organizuar, ku u takua me përfaqësues të botës së punës e të kulturës. Më pas, në Sheshin e mrekullueshëm të Plebishitit, zonë historike e Napolit, kremtoi meshën me popullsinë e besimtarët, ardhur aty edhe nga zonat përreth. Në orën 13.00, vizita e Papës në burgun e Poggioreale-s. Nën shenjën e solidaritetit, dreka, të cilën Papa e ndau me disa të burgosur. Pasdite, Ati i Shenjtë nderoi reliket e shën Gjenarit, në katedralen e qytetit, ku bisedoi lirshëm me klerin vendas. Në Bazilikën e Jezusit të Ri, takimi me të sëmurët, për t’u përqafuar më pas, në bregun e detit, me mijëra të rinjtë e mbledhur për ta përshëndetur e brohoritur.

         Edhe kjo vizitë nuk mund të mos shoqërohej me lutjen drejtuar Zojës, me të cilën Papa Françesku fillon e mbyll shtegtimet e veta. Kësaj radhe, e pati shën Marinë fare pranë Napolit, në shenjtëroren e Pompeit, kushtuar Zojës Rruzare, ku Ati i Shenjtë mbërriti para se të shkonte në qytetin bregdetar italian e ku u gjunjëzua në lutje, në orën 8.15, para se niste veprimtaritë e tij në Napoli.








All the contents on this site are copyrighted ©.