Më 24 maj kremtohet Dita e lutjes për Kishën në Kinë, themeluar më 2007 nga Benedikti XVI. Disa herë Papa Françesku ka nënvizuar solidaritetin e Kishës universale me Kishën në Kinë e vëmendjen e madhe me të cilën ndjek posaçërisht situatën e atij Vendi. E Letra e Papa Benediktit XVI drejtuar Kishës së Kinës është një akt që shpreh dashurinë e Papës për këtë Vend.
Është një dokument shenjë e dashurisë dhe e afërsisë së Papës e të Selisë së Shenjtë për bashkësinë katolike të pranishme në Kinë. Me këtë frymë u publikua, në maj të vitit 2007, Letra e Benediktit XVI drejtuar ipeshkvijve, meshtarëve, rregulltarëve e besimtarëve laikë të Kishës katolike në Republikën Popullore të Kinës.
Dokumenti papnor, në variantin italisht me 54 faqe e 20 kapituj, vijon të jetë
orientim për jetën e Kishës dhe veprimtarinë e saj ungjillëzuese në Kinë, duke iu
përgjigjur pyetjeve të shumta që i janë drejtuar Selisë së Shenjtë viteve të fundit.
Letra trajton çështje thjeshtë fetare: nuk është dokument politik, as aktakuzë kundër
autoriteteve qeveritare, ndonëse nuk mund t’i injorojë vështirësitë e njohura që përballon
çdo ditë Kisha në Kinë. Këto probleme u analizuan në Vatikan nga një Komision i posaçëm.
Pastaj, më 19 e 20 janar 2007, Benedikti XVI organizoi një takim, në përfundim të
të cilit u përgatit dokumenti i nënshkruar më 27 maj 2007, të Dielën e Rrëshajëve.
Me këtë Letër, Ati i Shenjtë Jozef Ratcinger caktoi një Ditë lutjeje për Kishën në
Kinë, që kremtohet më 24 maj.
Letra e Papës Benediktit XVI drejtuar katolikëve kinezë nuk i zhgënjeu shpresat e
tyre. Me stil origjinal, të kujton letrat e Besëlidhjes së Re, të shkruara nga Apostujt,
për të ngushëlluar e për t’i orientuar bashkësitë e largëta të besimtarëve të vënë
në provë, që ta ndjejnë frymën e përkatësisë në bashkësinë më të gjerë të Kishës universale.
Nuk kanë munguar mesazhet e papëve të mëparshëm për Kishën e popullin kinez, as orientimet,
dërguar me rrugë të ndryshme ipeshkvijve që i kërkonin, por Letra papnore është dokument
i plotë, i qartë, publik, që u tregon të gjithëve me qartësi e qetësi të plotë ç’është
e ç’dëshiron të jetë bashkësia e Kishës katolike, që jeton në vendin më të populluar
të botës, ku i duhet të përballojë akoma një situatë të vështirë, pasojë e keqkuptimeve
dhe e kufizimeve, që e pengojnë të jetojë e të rritet në liri të plotë. Është përgjigje
që u jepet pyetjeve të lindura në një situatë vuajtjeje e çorientimi, drejtuar plot
besim prej vitesh Romës, Papës, si i vetmi person, i cili mund të përgjigjet me autoritet
të vërtetë.
Letra e Benedikti XVI përshkohet nga dy dashuri: për Kinën dhe për Kishën katolike
në natyrën e saj, sipas traditës e doktrinës më të vërtetë.
E shkruar me stilin karakteristik të Papës Ratcinger, Letra është plot dashuri e mirënjohje
për dëshminë besnike të shumë katolikëve kinezë e njëkohësisht, e pasur me teologjinë
e Kishës, me citime të shumta nga Besëlidhja e Re e nga Koncili II i Vatikanit. Është
një dokument thelbësisht fetar e baritor, që nuk merret me probleme politike, as diplomatike.
Papa nuk kërkon të ndeshet me askënd. Nuk akuzon asnjeri, brenda as jashtë Kishës;
ruan gjithnjë një ton të qetë e plot respekt, edhe kur prek problemet e kufizimeve
të lirisë, sjelljet e palejueshme, tensionet e brendshme të Kishës, që konsiderohet
një e vetme e që dëshiron me gjithë zemër bashkimin me Papën e bashkimin e brendshëm,
ndonëse në dukje është e ndarë.
Nxitja për bashkim, për pajtim, për falje reciproke, është një nga mesazhet kryesore
që përshkon gjithë dokumentin.
Shpjegimi i qartë mbi natyrën e veçantë të bashkësisë kishtare e mbi rolin e ipeshkvijve
e shtyn Atin e Shenjtë të prekë pikën kritike të emërimit të ipeshkvijve e të veprimtarisë
së organizmave shtetërore, që synojnë të zbatojnë në jetën e Kishës në Kinë, parime
të papajtueshme me vizionin katolik, siç është ai i pavarësisë, i autonomisë e i vetëdrejtimit.
E në se autoritetet kineze flasin për ndërhyrje të jashtme në punët e shtetit, Kisha
ndjen rrezikun e ndërhyrjes së palejueshme të shtetit në jetën e saj të brendshme.
Prandaj Papa përpiqet të shpjegojë drejt dallimin ndërmjet planit politik e atij fetar,
ndërmjet përgjegjësisë së autoriteteve civile e atyre të Kishës dhe deklaron, plot
besim, se Kisha është gati të dialogojë për t’i kapërcyer keqkuptimet, edhe në ecurinë
për zgjedhjen e ipeshkvijve.
E gjithë letra e shikon në një perspektivë shumë pozitive e plot shpresë rritjen e
një Kishe, për të cilën uron të jetë plotësisht kineze e plotësisht katolike, e aftë
për t’i transmetuar shoqërisë pasurinë shpirtërore të Ungjillit.
All the contents on this site are copyrighted ©. |