2015-05-31 15:31:00

Botohet programi i vizitës së Papës në Torino


Salla e Shtypit e Selisë së Shenjtë botoi programin e vizitës baritore të Papës Françesku në Torino, më 21 e 22 qershorin e ardhshëm.

Të diel, pas arritjes në aeroportin Caselle, Papa do të niset me auto drejt Piazetta Reale, ku do të takohet me botën e punës. Më pas do të hyjë në katedrale ku do të lutet para Sindonës, duke u ndaluar paksa edhe para elterit të të Lumit Pier Giorgio Frassati. Në gjysmën e paradites, Françesku do të jetë në Sheshin Vittorio, për bashkëkremtimin eukaristik: këtu do të mbajë homelinë e do të kremtojë edhe lutjen e Engjëllit të Tënzot. Pas kremtimit, do të zhvendoset me auto në kryeipeshkvi, ku do të drekojë me të rinjtë e burgosur të burgut për të mitur “Ferrante Aporti”, me disa emigrantë e të pastrehë si dhe me një familje rom.

Në orët e para të pasdites do të shkojë në shenjtëroren e Zojës së Ngushëllimit për një vizitë e për t’u lutur privatisht. Etapa e mëpasme, Bazilika e Zojës Ndihmëtare, ku do të takohet me Salezianët e Bijat e Marisë Ndihmëtare (Salezianet). Në sheshin para Bazilikës Papa do të  përshëndesë  edukatorët e rinj dhe animatorët  e oratoreve. Françesku do ta vijojë shtegtimin duke vizituar Kishën e Cottolengo-s, ku do të përqafojë të sëmurët e handikapatët. Pastaj do të rikthehet në  Sheshin Vittorio, për t’u takuar me të rinjtë. Së fundi, rikthimi në kryeipeshkvi për të kaluar natën.

Të hënën, më 22, takimi i parë do të jetë në Tempullin Valdez, për t’u rikthyer në kryeipeshkvi ku, në formë ngushtësisht private, do të takohet me disa nga familjarët e tij, për të cilët do të kremtojë Meshën. Me ta do të kalojë, pastaj, edhe drekën. Para se të largohet nga kryeipeshkvia, Papa do të takohet, për pak minuta, me anëtarët e Komitetit të Ekspozimit të Sindonës, organizatorët dhe përkrahësit e vizitës në kryeqendrën piemonteze. Duke u zhvendosur, pastaj, drejt aeroportit të Torino-Caselle, gjatë udhës do të përshëndesë të rinjtë  e grupit “Vera e të rinjve” .

Së fundi, nisja, për të arritur, sipas parashikimit, në aeroportin romak të Ciampino-s, rreth orës 17.30 e për t’u nisur menjëherë drejt Vatikanit. 








All the contents on this site are copyrighted ©.