2015-12-04 11:36:00

Mëshira, shenjë dalluese e Papës Françesku


Jubileu i Mëshirës do të hapet më 8 dhjetor 2015 e do të vijojë deri më  20 nëntor 2016, sipas dëshirës së Papës Françesku, që bota ta shikojë dashurinë e pakufishme të Krishtit. Në këtë Vit Shenjt Papa Bergoglio do të bëjë simbolikisht disa gjeste, për të arritur në “periferitë” e jetës së njerëzimit e për të dhënë personalisht i pari dëshminë e afërsisë dhe të kujdesit për të varfërit.

Po tema e mëshirës nuk mund të mbyllet në kufijtë e ngushtë të një viti. Ajo përshkon gjithë papninë e Bergoglios. Duke nisur nga motoja e stemës së tij, shkëputur nga homelitë e Shën Bedës së nderuar e frymëzuar nga episodi ungjillor i thirrjes së Shën Mateut: “Miserando atque eligendo”. Na e shpjegon vetë Papa, duke kujtuar se Jezu Krishti  “e pa Mateun, pati mëshirë dhe e zgjodhi”. Por përkthimi fjalë për fjalë do të ishte, shpjegon vetë Bergoglio, “duke e mëshiruar e duke e zgjedhur”, gati-gati një punë mjeshtri. Stema papnore, pra, na kujton menjëherë Mëshirën hyjnore  e merr kuptim të veçantë në jetën e në udhën shpirtërore të Papës. Në moshën 17 vjeçare, pas një rrëfimi, Jorge u prek thellë në zemër e perceptoi mëshirën e Zotit, që po e thërriste të ecte në gjurmët Shën Injacit të Lojolës. E ai e nisi shtegtimin…

Gjatë shërbesës së tij papnore, Françesku s’pushon s’e kujtuari Mëshirën hyjnore, besimin në dashurinë e Atit, që i fal gjithnjë fajet e bijve të vet. Papa kërkon me ngulm që të gjithë ta shohin Fytyrën e vërtetë të Krishtit, fytyrë bariu plot mëshirë, që nuk dënon. E prandaj Papa u kërkon edhe rrëfyesve të jenë të mëshirshëm ndaj pendestarëve, t’i kuptojnë, të sillen me ta si Ati, që nuk gjykon, sepse është Mëshira e pambaruar.








All the contents on this site are copyrighted ©.