2015-12-16 14:14:00

Mesazhi i Krishtlindjes i imzot Twal: mjaft më gjak në Tokën Shenjte


“Krerëve izraelitë e palestinezë u themi se është çasti për të dhënë provën e guximit e për të vepruar në favor të paqes së qëndrueshme, bazuar mbi drejtësinë. Nuk mund të shtyhet më!”: në mesazhin e tij për Krishtlindje, Patriarku latin i Jeruzalemit, Fouad Twal, bën thirrje për Tokën Shenjte, që të respektohen rezolutat ndërkombëtare, të dëgjohen zërat e izraelitëve dhe të palestinezëve, të cilët presin paqen. “Secili nga të dy popujt e Tokës Shenjte – vijon imzot Twal, që e paraqiti mesazhin për shtyp, sot paradite – ka të drejtën për dinjitet, për një shtet të pavarur e për siguri”.

Të ndalet tregtia e armëve

         Patriarku kujton atmosferën e frikës së krijuar kudo, për shkak të atentateve në Evropë, në SHBA-të dhe në Turqi, por përmend edhe viktimat e terrorizmit në Lindjen e Mesme. Është tregtia e armëve, denoncon ai, që i ushqen konfliktet. Në të përfshihen shumë fuqi ndërkombëtare, që, nga ana tjetër, flasin me hipokrizi për dialog, drejtësi e paqe. “Këtyre trafikantëve pa skrupuj e pa ndërgjegje u themi: kthehuni, ndryshoni. Përgjegjësia juaj në këtë tragjedi është e madhe e ju do të përgjigjeni para Zotit për gjakun e vëllezërve”.

Luftë kundër varfërisë e padrejtësisë, pa përdorur armët

         Për Patriarkun latin të Jeruzalemit “përgjigjja ushtarake dhe përdorimi i forcës nuk mund t’i zgjidhin problemet e njerëzimit. Duhen gjetur shkaqet dhe rrënjët e fatkeqësive e duhen përballuar. Duhet luftuar kundër varfërisë dhe padrejtësisë, të cilat mund të jenë terren i favorshëm për terrorizmin”. Përgjigjja e Kishës Katolike dhe e besimtarëve është Jubileu i Mëshirës, nënvizon imzot Twal. “Kur mëshira bëhet përmasë e veprimit publik, atëherë arrin ta çojë botën nga sfera e interesave egoiste në atë të vlerave njerëzore”, shpjegon Patriarku, duke e quajtur mëshirën “akt politik të mirëfilltë”. Natyrisht, në këtë rast, politika shihet në këndvështrimin më fisnik të saj, pra, si përgjegjësi ndaj familjes njerëzore, si përdorim vlerash etike, prej të cilave, mëshira është përmasë themelore, e kundërt me dhunën, shtypjen, padrejtësinë dhe frymën e mbizotërimit.

Krishtlindja në Tokën Shenjte, lutje për viktimat e terrorizmit

         Përsa u përket festimeve të Krishtlindjes në Tokën Shenjte, Patriarku Twal vëren se gjendja aktuale këshillon kujdes e kufizime, të paktën për aspektet më të dukshme të kremtimeve. Prandaj, sivjet, besimtarët ftohen të thellohen në aspektet shpirtërore të festës. Në çdo famulli, do të fiken për 5 minuta dritat e Pemës së Krishtlindjes, në shenjë solidariteti me viktimat e dhunës dhe të terrorizmit e Mesha e festës do të kremtohet për viktimat dhe familjarët e tyre. 








All the contents on this site are copyrighted ©.