2016-06-19 09:00:00

Papa u përgjigjet pyetjeve në Kuvendin dioqezan të Romës


Të enjten mbrëma, Papa Françesku mori pjesë në hapjen e Kuvendit dioqezan të Romës. Pasi u tha meshtarëve t’u afrohen familjeve e t’i ndihmojnë, Ati i Shenjtë iu përgjigj disa pyetjeve. Në qendër të mesazhit të tij, ftesa për të sjellë në botë dhembshurinë e Jezu Krishtit, duke i shoqëruar njerëzit. Individualizmi si bosht i kulturës së sotme, famullitarët e ndonjë dioqeze që nuk duan të pagëzojnë fëmijët e nënave të pamartuara, zvogëlimi i numrit të lindjeve dhe familjet, që preferojnë të kenë qen e mace e jo fëmijë: këto ishin temat e prekura nga Ati i Shenjtë, i cili me ton të qetë e me anekdota, u kërkoi meshtarëve të rrezikojnë e të mos kenë frikë se gabojnë, të përdorin gjuhën e ëmbëlsisë, si me fëmijët, duke imituar Krishtin, i cili nuk e quajti privilegj të qenit Zot, por u përul deri tek njeriu, duke folur me gjuhën dhe gjestet e njerëzve.

         Papa Françesku i ftoi meshtarët të mos jenë as rigoristë e as lasistë, por të përdorin gjuhën me të cilën Jezusi i drejtohet samaritanes apo kurorëthyeses. Episode, që tregojnë se morali është “akt dashurie”, nënvizoi Ati i Shenjtë, akt, që lë hapësirë për kthimin e tjetrit në rrugën e Zotit. Papa vuri theksin në përgatitjen e çifteve për martesë, duke kërkuar të mos kremtohen martesa shpejt e shpejt, pa e kuptuar mirë se cili është Sakramenti, që merret për gjithë jetën.

         E s’mund të mos mungonte shakaja. Françesku përsëriti sërish ftesën që çifti të mos e mbyllë ditën pa bërë paqe e sidomos, të mos lejojë ndërhyrjen e prindërve apo të anëtarëve të tjerë të familjes në jetën e vet. Sepse, qeshi Ati i Shenjtë, që kur sheh nga ekografia se fëmija që pret, është djalë, gruaja fillon “të studiojë” për t’u bërë vjehërr.








All the contents on this site are copyrighted ©.