Ja përsëri në takimin tonë javor me Fjalën e Zotit të së dielës, kësaj radhe meditojmë
leximet biblike të liturgjisë së Fjalës së dielës së 19-të gjatë vitit kishtar, ciklit
të tretë, sipas kalendari liturgjik.
Liturgjia e Fjalës së Zotit e Dielës së 19-të gjatë vitit na kujton përmasën e pritjes
së Zotit, si pjesë përbërëse e themelore të jetës së krishterë. Fjala e Zotit na ndihmon
ta kuptojmë domethënien e plotë që ka pritja e takimit më të rëndësishëm të jetës
sonë: takimi me Krishtin, Dhëndrin e njerëzimit.
Më shumë mbi liturgjinë e Fjalës së Zotit të kësaj së diele mund të dëgjoni edhe këtu emisionin tonë.........
Të dielën e kaluar, në Ungjill, Jezusi na ka mësuar që e mira e vërtetë që mund të
fitojmë është Mbretëria e amshuar, në qiell. Për të pasur Mbretërinë e Hyjit, Jezusi
na jep këshilla të ndryshme në fragmentin e Ungjillit të kësaj së diele, ku thotë:
“Shitni pasurinë tuaj e pejni lëmoshë! Bëni për vete strajca që nuk vjetërsohen, thesar
në qiell”. Me fjalë të tera, të kërkojmë atë mirë që nuk mbaron, të bëjmë vepra dashurie
e virtyti. Pastaj thonë se “jini gati, të veshur e të ngjeshur me llamba të ndezura,
porsi ata që presin Zotërinë e vet kur kthehet”. Ky Zotëri, Mësues, është Jezu Krishti,
që do të kthehet në botë si gjykatës. E pastaj na porosi akoma “Edhe ju, pra, jini
gati. Sepse Biri i njeriut do të vijë në atë çast kur s’jua merr mendja”. Jezusi vjen
për t’i dhënë shpërblimin, çmimin e merituar njerëzve, sipas veprave të tyre.
Në leximet biblike të kësaj së diele, kemi primatin e fesë, si llambë, që ndriçon
jetën e besimtarit, e është përgjigjja ndaj besnikërisë së Zotit. Hyji, për atë njeri
që beson, është gjithmonë “Ai që vjen, sepse në një farë mënyre, Zoti e ka vendin
e parë në jetën e tij, e atëherë gjithçka tjetër bëhet jo cak, por thjesht mjet apo
vegël. Kjo pritje nganjëherë na lodhë, madje na rraskapit forcat, e provojmë në lëkurë
tonën rrezikun e lodhjes e edhe joshjen ndaj asaj që është më e gatshme, më e afërt,
që i përgjigjet nevojave tona në mënyrë të menjëhershme. Fjala e Zotit e kësaj së
diele të 19-të gjatë vitit kishtar na drejton një thirrje të qartë pikërisht për ato
momente kur ndjehemi të lodhur, madje të sfilitur: Mos druani, mos keni frikë, grigjë
e vogël! Feja në Zotit ushtrohet në besimin e plotë plot durim.
Ungjilli i kësaj së diele nga Luka 12,32-48, na vënë përsëri përballë të mirave të
kësaj bote materiale dhe para zgjedhjes e përcaktimit tonë: shëmbëlltyrat ungjillore
na tregojnë e ftojnë të jemi të gatshëm, të përgatitur,” të veshur e të ngjeshur me
llamba të ndezura, porsi ata që presin Zotërinë e vet kur kthehet”; “jini gati, sepse
Biri i njeriut do të vijë në atë çast kur s’jua merr mendja”. Këto fjalë janë thirrje
të kemi besim në Zotin.
Nga Ungjilli i së dielës mësojmë se Jezusi çdo autoritet në bashkësi e ka lidhur me
shërbimin. Ai jo vetëm që shërbimin e ka bërë një emër të ri, emër sekret të qytetërimit,
por e ka bërë tipar, shenjë dalluese të marrëdhënies reciproke mes njeriut e Hyjit.
Ne shërbëtorë të Hyjit, e Hyji që nga ana e tij bëhet shërbëtor i shërbëtorëve të
vet: të cilët "do ti ulë në tryezë e do t'u shërbejë.
Në pjesën e Ungjillit të kësaj së diele, jehon tri herë thirrja "jini gati". Po çka
pret shërbëtori besnik? Nga e ardhmja nuk vjen diçka, po Dikush. Në mbarim të natës,
agon shkëlqimi i një takimi. E jo me Zotin vjedhës të jetës, por me Zotin që bëhet
shërbëtor i shërbëtorëve të vet, që përkulet para njeriut dhe e nderon, që e gëzon
dhe e ushqen jetën, me Zotin dashurues i jetës.
Në mbarim të natës….Besnikëria e atij shërbëtori nuk konsiderohet thjeshtë një vepër
e detyrueshme, një detyrë e kryer, po për Zotin është gëzim e një befasi. Ndoshta
ai shërbëtor i jep Zotit më shumë se sa vet Zoti priste, është në gjendje ta befasojë
e ta mrekullojë duke ndenjur zgjuar deri në mbarimin e natës, i aftë ta bëjë të gëzojë.
E për këtë lind një përgjigje e mëtejshme e çliruese, përtej detyrimit e peretj së
drejtës, në fushën e dhuratës së pastër.
“Lum ai shërbëtor që Hyji do ta gjejë zgjuar e vigjilentë”. Pse i lum? Fatbardhësia
e shërbëtorit nuk është në faktin se ka ditur ta kalojë natën duke ndenjur zgjuar,
por lind shumë më parë nga fakti se pronari, se zotëria ka besim në të e atij ia beson
shtëpinë.
Zoti ka besim në njeriun. Besimi i Zotit tim më pushton, në Të e vë zemrën time,
atij i përgjigjëm. Është ky psalmi im i parë: lum njeriu sepse Zoti ka besim në të.
E feja, besimi i shërbëtorit i përgjigjet fesë dhe besimit të Zotit, e shërbëtori
administron apo mbarështon me gëzim më shumë një thesar miqësie reciproke se atë të
shtëpive e të mirave. Atëherë, “aty ku është visari juaj, aty do të jetë edhe zemra
juaj”. Thesari i vërtetë janë gjithmonë personat e kurrë sendet.
Ngjarja më vendimtare për ne është takimi me Zotin, e kjo ngjarje kërkon një sjellje
e qëndrim më të përvujtë: durimin gjatë pritjes. Kështu qenë ftuar të ishin edhe bijtë
e Izraelit, për të cilët flet Leximi i parë nga Urtia 18,3.6-9, në përkujtim të lirimit
nga Egjipti: janë ftuar ta mbajnë fenë të gjallë në premtimet e Hyjit, mbi çka themelohet
apo bazohet siguria e tyre.
Feja, pohon Leximi i dytë e kësaj së diele nga Letra e Hebrenjve 11.1-2;8-9, është
themel i sendeve që shpresohen. Feja shprehet përmes besimit, mbështetjes e shfaqet
në aftësinë e besimtarit që e bazon jetën personale mbi fe, duke braktisur çdo formë
tjerë të sigurisë.
Liturgjia e Fjalës
Leximi i parë Urt 18, 3.6-9
Tregimtari jeton i lirë në Egjipt aty ku etërit e tij janë persekutuar. Ai kremton
natën e pashkëve ulur në tavolinë në shtëpinë e tij. Nuk kërkon që egjiptianët të
jenë të shkatërruar, por falënderon Hyjin që është anëtar i popullit të besëlidhjes
dhe që kremton gëzimin e çlirimit të popullit. Edhe sot të krishterët banojnë në vendin
në të cilin jetojnë për të dëshmuar që Hyji i ka thirrur dhe i ka bashkuar duke u
ofruar bukë dhe liri.
Lexim prej Librit të Urtisë
Në natën e lirimit, Izraelitëve u dhe për prijës në udhë të panohur një shtyllë zjarri
të ndezur, diell të butë në shtegtim të lavdishëm. Ajo natë u qe paralajmëruar etërve
tanë, që ta kishin të qartë çfarë përbetimeve u kishin besuar, se s’do t’u tundej
besimi në zemër. Pritej prej popullit tënd shpëtimi i të drejtëve e shfarosja për
të padrejtët, sepse, siç i ndëshkove kundërshtarët, ashtu na madhërove duke na thirrur
pranë teje.
Atëherë bijtë e shenjtë të të drejtëve fli të kushtuan fshehtazi e ranë në përkim
të gjithë së bashku për këtë ligj hyjnor: shenjtërit do t’i pranojnë barazi si të
mirat ashtu dhe rreziqet. Atëherë kënduan këngët që më parë i këndonin etërit. Fjala
e Zotit.
Psalmi 33
Lum populli që i përket Zotit
____________
Galdoni, o të drejtë me Zotin,
të drejtëve u ka hija lavdërimi!
Lavdërojeni Zotin me kitarë,
bini gëzueshëm lirës me dhjetë korda!
____________
Qe, sytë e Zotit janë mbi ata që e druajnë,
mbi ata që shpresojnë në mirësinë e tij:
për t’i shpëtuar nga vdekja
e për t’i ushqyer në kohën e urisë.
____________
Shpirti ynë shpreson në Zotin,
ai është ndihma dhe mburoja jonë.
Mirësia jote qoftë mbi ne, o Zot,
sikurse ne shpresojmë në ty.
____________
Leximi i dytë Heb 11, 1-2.8-19
Abrahami i frymëzuar prej Hyjit niset pa e ditur se ku do të arrijë. Të gjithë pasardhësit
e tij do të njihen prej tij: ata besojnë me të vërtetë që Hyji nuk i bën të ecin kot. Ata
e dinë pse nisen dhe nuk marrin parasysh rreziqet, sepse në fund të udhëtimit do të
gjejnë një shtëpi, një vend paqeje dhe dashurie ku të shkarkojnë peshën e jetës së
tyre.
Lexim prej drejtuar Hebrenjve
Vëllezër, feja është një mënyrë pasjeje të sendeve që shpresohen, mjet të njihen sendet
që nuk shihen. Në fuqi të saj, madje, të parët tanë fituan një dëshmi të mirë.
Me anë të fesë, Abrahami, kur qe grishur, dëgjoi të çojë dhe të niset drejt vendit
që do ta fitonte në trashëgim; e lëshoi vendin edhe pse nuk dinte se ku do të shkonte.
Me anë të fesë erdhi të banojë në tokën e premtuar si në tokën e huaj dhe jetoi nën
tenda me Izakun dhe me Jakobin, bashkëtrashëgimtarët e të njëjtit premtim, sepse priste
Qytetin me themele të palëkundshme, arkitekti dhe ndërtuesi i të cilit është Hyji.
Me anë të fesë, edhe vetë Sara beronjë fitoi mundësinë të bëhej nënë, megjithëse i
kishte kaluar mosha, sepse e mbante besnik Atë që i dha premtimin. Këndej, prej një
njeriu, dhe ai gati i vdekur, lindi një shumicë e madhe porsi yjet në qiell dhe rëra
e panumërueshme në bregun e detit.
Të gjithë këta vdiqën në fe pa marrë çka u qe premtuar. Ata vetëm e vërejtën prej
së largu dhe e përshëndetën duke pranuar se janë të huaj dhe udhëtarë përmbi tokë.
Vërtet, ata që flasin kështu dëftojnë qartazi se kërkojnë atdheun. Patjetër, po të
kishin menduar për atdheun prej të cilit dolën, do të kishin pasur kohë të ktheheshin.
Por tashti, ata dëshirojnë një atdhe më të mirë, domethënë atmen qiellore. Për këtë
arsye Hyjit nuk i vjen turp të quhet Hyji i tyre: vërtet, Ai ua ka bërë gati Qytetin.
Me anë të fesë, Abraha-mi, i vënë në provë, e flijoi Izakun. Flijonte djalin e vetëm
ai që kishte marrë premtimin, të cilit i qe thënë: “Pasardhësit e tu do të rrjedhin
prej Izakut”, plotësisht i bindur se Hyji mund të ngjallë edhe të vdekurit. Prandaj
edhe e rifitoi, dhe qe një shëmbëlltyrë. Fjala e Zotit.
ALELUJA, aleluja.
Rrini zgjuar, sepse nuk e dini ditën
kur do të vijë Zoti.
Aleluja.
Ungjilli Lk 12, 32-48
Jezusi u drejtonte ndoshta këto shëmbëlltyra skribëve të asaj kohe, të cilët kishin
zënë rrënjë në siguritë e tyre ekonomike, dhe i fton të mos flenë në momentet e krizës
fetare, që shpallin fundin e botës.
Jezusi, për të na mësuar që t’i qëndrojmë me të vërtetë besnikë Zotit që vjen, shpall
dështimin e një lloj teologjie, e paaftë për të lexuar shenjat e kohërave dhe për
të realizuar ndryshime rrënjësore në traditën fetare.
Leximi i Ungjillit shenjt sipas Lukës
Në atë kohë, Jezusi u tha nxënësve të vet: “Mos druaj, o grigjë e vogël, sepse Atit
tuaj i pëlqeu t’jua japë Mbretërinë! Shitni pasurinë tuaj e jepni lëmoshë! Bëni për
vete strajca që nuk vjetrohen, thesar në qiell që nuk mbaron kurrë, ku vjedhësi nuk
afrohet e tenja nuk bren.
Vërtet, ku është visari juaj, aty do të jetë edhe zemra juaj. Jini gati – të veshur
e të ngjeshur me llamba të ndezura – porsi ata që presin zotërinë e vet kur kthehet
prej dasmës për t’ia çelur derën posa të vijë e të trokëllitë. Lum shërbëtorët që,
kur kthehet zotëria, i gjen zgjuar! Përnjëmend po ju them: ai vetë do të ngjeshët,
ata do t’i ulë në tryezë, do të afrohet dhe vetë do t’i shërbejë. Po erdhi në të dytën
ose në të tretën rojë të natës dhe po i gjeti kështu, lum ata!
E mos e harroni këtë gjë: po ta dinte i zoti i shtëpisë në të cilën orë i vjen vjedhësi,
nuk do të linte t’i thyhej shtëpia. Edhe ju, pra, jini gati, sepse Biri i njeriut
do të vijë në atë çast kur s’jua merr mendja.” Atëherë Pjetri tha: “Zotëri, a po e
thua këtë shëmbëlltyrë vetëm për ne, apo për të gjithë?
Zotëria i përgjigji: “Cili, vallë, është ai mbarështues besnik e i mençur që do ta
vërë zotëria përmbi shërbëtorët tjerë për t’u dhënë në kohën e duhur pjesën e ushqimit?
I lumi ai shërbëtor, të cilin, kur kthehet zotëria i tij, e gjen duke vepruar kështu.
Përnjëmend po ju them: do ta vërë mbi të gjithë pasurinë e vet.
Porse, po bëri e mendoi shërbëtori në zemrën e vet: ‘Zotëria im do të vonojë të kthehet’,
dhe fillon të rrahë shërbëtorët e shërbëtoret, të hajë e të pijë e të dehet, zotëria
i tij do të vijë atë ditë kur nuk e pret, atë orë që nuk ia merr mendja, dhe do ta
ndëshkojë rëndë e do t’ia japë fatin e të pafeve. Shërbëtori që e diti vullnetin e
zotërisë e nuk u bë gati dhe nuk e kreu vullnetin e tij, do të marrë shumë të rëna.
Ndërsa ai që nuk e diti, por bëri punë që duhet të ndëshkohen, do të rrihet më pak.
Kujt iu dha shumë, prej tij do të kërkohet shumë. Kujt iu besua shumë, prej tij do
të kërkohet shumë. Fjala e Zotit.
All the contents on this site are copyrighted ©. |