2017-01-19 13:09:00

Françesku: Luteri donte ta përtërinte Kishën, jo ta ndante


Luteri donte ta përtërinte Kishën e jo ta ndante: kështu pohoi sot Papa Françesku, në takimin tradicional me një delegacion ekumenik nga Finlanda, kryesuar nga peshkopi luteran i Turkut, ardhur në Romë me rastin e festës së Shën Henrikut dhe të Javës së lutjes për bashkimin e të krishterëve. Që prej 30 vjetësh, shtegtimi i një delegacioni ekumenik finlandez në Romë është “traditë e bukur” dhe nismë, që na nxit drejt afrimit e pajtimit, nënvizoi Ati i Shenjtë:

“Ekumenizmi i vërtetë, në fakt, bazohet mbi kthimin e përbashkët në udhën e Jezu Krishtit, Zoti dhe Shëlbuesi ynë. Nëse i afrohemi së bashku Atij, afrohemi edhe me njëri-tjetrin. Këto ditë, t’i lutemi më shumë Shpirtit Shenjt, që të na nxisë drejt këtij kthimi, i cili bën të mundur pajtimin”.

 Papa Françesku kujtoi takimin me luteranët në Lund të Suedisë

Papa Françesku kujtoi takimin me luteranët në Lund të Suedisë, më 31 tetorin e kaluar, për të përkujtuar së bashku 500-vjetorin e fillimit të Reformës: etapë e rëndësishme në nivelin njerëzor, por edhe në atë teologjiko-shpirtëror. “Pas 50 vjet dialogu zyrtar ekumenik ndërmjet katolikëve dhe luteranëve – vërejti Bergoglio – arritëm t’i paraqesim qartë perspektivat, për të cilat sot, mund të themi se jemi një mendje. Për këtë shprehim mirënjohje. Njëkohësisht, ta kemi gjithnjë parasysh në zemër, pendesën e sinqertë për fajet tona”:

“Në këtë frymë, në Lund u kujtua se synimi i Martin Luterit, 500 vjet më parë, ishte përtëritja e Kishës, jo ndarja e saj. Ai takim na dha guxim e forcë për të shikuar përpara, në Zotin tonë Jezu Krisht, këtë udhë ekumenike, që jemi të thirrur ta përshkojmë së bashku”.

Kemi shpresë të merremi vesh edhe për tema të doktrinës e të mësimit moral

Në të ardhmen, uroi Papa, kemi shpresë të merremi vesh edhe për tema të doktrinës e të mësimit moral të Kishës, në mënyrë që t’i afrohemi edhe më shumë bashkimit të plotë e të dukshëm:

“Në përfundim të ditës përkujtimore në Lund, duke parë drejt së ardhmes, morëm guxim nga dëshmia jonë e përbashkët e fesë para botës dhe u impenjuam t’i mbështesim së bashku ata që vuajnë, ata që ndodhen në nevojë, ata që pësojnë persekutime e dhunë. Duke bërë kështu, si të krishterë nuk jemi të ndarë, por të bashkuar në rrugën drejt bashkimit të plotë”.

"Ju falenderoj që keni marrë me vete edhe nipat"

Ati i Shenjtë iu lut Zotit ta shoqërojë me bekime punën e Komisionit për dialogun luterano-katolik në Finlandë, që po impenjohet me përkushtim për një interpretim të përbashkët për Sakramentet e Kishës, sidomos për Eukaristinë dhe shërbimin kishtar. Së fundi, duke shpresuar në një bashkëpunim gjithnjë e më të madh ndërmjet katolikëve, ortodoksëve dhe luteranëve në botë, Papa Françesku falenderoi veçanërisht peshkopin luteran të Turkut, Kari Mäkinen:

“I dashur vëlla ipeshkëv, dua t’ju falenderoj që keni marrë me vete edhe nipat: kemi nevojë për thjeshtësinë e fëmijëve, ata na mësojnë udhën drejt Jezu Krishtit. Faleminderit shumë!”     








All the contents on this site are copyrighted ©.