2017-01-30 13:12:00

Papa në Engjëllin e Tënzot: t’i besojmë Zotit me përvuajtërinë e të varfërve në shpirt


Papa tha dje Lutjen e Engjëllit të Tënzot, si zakonisht, me besimtarët e mbledhur në Sheshin e Shën Pjetrit në Vatikan. Ungjilli i djeshëm, ai i Lumnive, që është portali i hyrjes në “Fjalimin e Jezusit mbi Mal”, i dha mundësinë Atit të Shenjtë t’u fliste pikërisht për këtë program të madh e të mrekullueshëm jete rreth 3 mijë të rinjve e fëmijëve të Veprimit Katolik të Romës, që ndodheshin poshtë dritares së Pallatit Apostolik, nga ku Françesku duket çdo të dielë. Pas lutjes, Papa përshëndeti popullsitë e dëmtuara nga tërmeti në Italinë qendrore.

Jezusi i mëson popullit një Ligj, i cili nuk e mohon të vjetrin, por e çon atë drejt plotësimit

Biri i Zotit u flet dishepujve të vet, atyre që i pati zgjedhur për ta ndjekur e u paraqitet si Moisiu i ri, që i mëson popullit një Ligj, i cili nuk e mohon të vjetrin, por e çon atë drejt plotësimit. Duke shpallur se janë të lum të varfërit, të vegjlit, të butët, të pastërtit në shpirt, Jezusi realizon atë, që patën shpallur profetët e Besëlidhjes së Vjetër, si Sofonia i Leximit të parë të djeshëm: Zoti do të krijojë një popull të përvuajtur e të varfër, të aftë t’ia besojë jetën vetëm Hyjit.

Kuptimi i tekstit, ashtu siç e ka shpjeguar Papa edhe në raste të tjera, nuk është urdhër, nuk thotë “duhet të jeni të varfër, të butë, të pastër në shpirt, etj.”, por është zbulesë: “Mund të jeni edhe kështu”, nënvizon Ungjilli, sepse pikërisht kështu i pëlqeni Hyjit. E kjo shpjegohet mirë në pjesën e dytë të tekstit: sepse e juaja është Mbretëria e Qiellit, sepse do të ngushëlloheni, sepse pasuria juaj është vetë Zoti, trashëgimia juaj është dashuria e Tij, falja dhe mëshira e Tij, që e bën çdo besimtar të gatshëm për ta ndjekur Krishtin e Ringjallur:

“Arsyeja e lumnisë, pra e lumturisë, nuk është në gjendjen e përshkruar – ‘të varfër në shpirt’, ‘të vuajtur’, ‘të etur për drejtësi, ‘të persekutuar’…- por në premtimin e mëpasëm, që duhet pranuar me fe si dhuratë e Zotit. Nisemi nga një gjendje e vështirë për t’ia hapur zemrën dhuratës së Hyjit dhe për të hyrë në botën e re, në ‘mbretërinë’ e shpallur nga Jezusi”.

Nuk mund të jemi të lum nëse nuk kthehemi në rrugën e Zotit

Nuk mund të jemi të lum nëse nuk kthehemi në rrugën e Zotit, vijoi Papa, duke u ndalur në lumninë e parë: “Lum të varfërit në shpirt, sepse e tyre do të jetë mbretëria e qiellit”. I varfëri në shpirt, shpjegoi Ati i Shenjtë, nuk është ai që rebelohet, por ai që di të jetë i përvuajtur, i bindur, i gatshëm për hirin e Tënzot. Për të qenë të varfër në shpirt duhet, së pari, t’i përdorim me përkorje të mirat materiale:

“…pa humbur në mjegullnajën e konsumizmit të ethshëm. Sa më shumë kam, aq më tepër dua; sa më shumë kam, aq më tepër dua: ky është konsumizmi i ethshëm. E ky e vret shpirtin. Burri e gruaja, që bëjnë kështu, që mbajnë këtë qëndrim ‘sa më shumë kam, aq më tepër dua’, nuk janë të lumtur e nuk e arrijnë lumturinë”.

E varfëria në shpirt duket në lavdin drejtuar Zotit në dashurinë për gjithçka Ai i Lumi ka krijuar:

“…është Ai Zoti, është Ai i Madh, nuk jam unë i madh, vetëm sepse kam shumë gjëra! Është Ai: Ai e ka dashur botën për të gjithë njerëzit dhe e deshi që njerëzit të ishin të lumtur”.

Të jetojmë me përkorje

I varfëri në shpirt është i krishteri, që nuk u beson pasurive të tij materiale, nuk ngul këmbë vetëm në mendimin e vet, por dëgjon me respekt e u bindet me dëshirë edhe vendimeve të të tjerëve:

“Nëse në bashkësitë tona do të kishte më shumë të varfër në shpirt, do të kishim më pak ndarje, kundërshti dhe polemika! Përvuajtëria, ashtu si dashuria, është virtyt thelbësor për bashkëjetesën e bashkësive të krishtera”.

Varfëria në kuptimin ungjillor, vijoi Ati i Shenjtë, është rruga e privilegjuar drejt Mbretërisë Qiellore, është rrugë dashurie, që mund ta përshkojë vetëm kush ka zemrën e hapur. Të marrim shembull nga Zoja, theksoi, e cila iu bind pa kushte vullnetit të Zotit.

Thirrja për popullsitë e dëmtuara nga tërmeti

Pas Engjëllit të Tënzot, Papa kujtoi se në të gjithë botën kremtohej Dita e të sëmurëve nga gërbula. Në mijëvjeçarin e tretë, akoma bota regjistron rreth 700 mijë raste të reja me gërbulë, apo lebër, në vit. Papa kërkoi solidaritet me të sëmurët si shenjë e gjallë e asaj dashurie për të varfërit dhe të sëmurët, që tregoi vetë Jezusi me fjalët e me gjestet e Tij. Inkurajoi gjithashtu, edhe popullsitë e Italisë Qendrore, të dëmtuara rëndë nga tërmeti e nga vala e jashtëzakonshme e kohës së keqe:

“Këtyre vëllezërve motrave të mos u mungojë mbështetja e vazhdueshme e institucioneve dhe solidariteti i përbashkët. E ju lutem që çdo lloj burokracie të mos i lërë të presin edhe më e të vuajnë më shumë!”

Takimi festiv me fëmijët e të rinjtë e Veprimit Katolik

Së fundi, takimi festiv me fëmijët e të rinjtë e Veprimit Katolik, me të cilët Papa Françesku bëri shaka:

“Siç e shihni, janë dyndur pushtuesit… janë këtu!”

         E pikërisht dy anëtarë të Veprimit Katolik, pjesëmarrës të nismës tradicionale të Karvanit të Paqes, që zhvillohet vit për vit, dolën në dritare së bashku me Papën për të përshëndetur bashkëmoshatarët në shesh, të cilëve u kërkohet të vënë në jetë programin e lumnive, mësuar nga Krishti. Atyre dhe fëmijëve të të gjithë botës, ata u drejtuan mesazhin e tyre të paqes. Si çdo vit, shkollarët e Veprimit Katolik të Romës, së bashku me prindërit dhe edukatorët e tyre u mblodhën që në orën 7.30 në Sheshin e Kishës së Re. Pas meshës në Shën Maria në Vallicella, pjesëmarrësit e Karvanit të Paqes, që sivjet pati për temë “Rrethohu me paqe”, u vunë për udhë drejt Shën Pjetrit, për Lutjen e Engjëllit të Tënzot.








All the contents on this site are copyrighted ©.