2017-02-12 09:00:00

Në Bazilikën e Shën Pjetrit, për herë të parë, mbrëmësoret anglikane


Për herë të parë në histori, më 13 marsin e ardhshëm, do të kremtohet në Bazilikën e Shën Pjetrit, një Lutje korale, sipas mënyrës së anglikanëve. Nuk ka ndodhur kurrë më parë, që mbrëmësorja anglikane, e cila është pjesërisht e njëjtë me atë katolike, të kremtohet në elterin e Katedrës së Shën Pjetrit. Lejen për këtë e dha kryeprifti i Bazilikës, kardinali Angelo Comastri, i cili vendosi për detajet e kremtimit së bashku me drejtorin e Qendrës Anglikane të Romës, kryepeshkopin David Moxon, që do të kryesojë këtë shërbim liturgjik. Predikatori do të jetë kryeipeshkvi katolik anglez Arthur Roche, sekretar i Kongregatës për Kultin Hyjnor e Disiplinën e Sakramenteve. Do të këndojë Kori i Kolegjit Merton të Oksfordit.

Edhe këto mbrëmësore janë pjesë e kremtimeve për 50-vjetorin e dialogut ndërmjet Kishës Katolike dhe asaj Anglikane, filluar me takimin e 23 marsit 1966 ndërmjet të Lumit Pali VI dhe kryeipeshkvit të atëhershëm të Kanterbërit, Michael Ramsey. Më 5 tetor 2016, Papa Françesku pati kremtuar mbrëmësoret ekumenike në bazilikën e Shën Gregorit në Celio së bashku me kryepeshkopin anglikan, Justin Welby. Ndërsa, më 26 shkurt, Ati i Shenjtë do të shkojë për vizitë në kishën anglikane të Gjithë Shenjtorëve në rrugën Babbuino të Romës.

Data e kremtimit të mbrëmësoreve, më 13 mars, u zgjodh sepse është më afër festës liturgjike të Shën Gregorit të Madh, pajtor i marrëdhënieve ndërmjet dy Kishave. Vërtet, qe ky Papë, që përhapi krishterimin në Britaninë e Madhe përmes veprimtarisë ungjillëzuese të disa murgjërve benediktinë të çenobit romak të Shën Andreut në Celio, ndër të cilët kujtojmë Shën Augustinin, që u bë më pas kryeipeshkvi i parë i Kanterbërit.








All the contents on this site are copyrighted ©.