2017-07-04 12:07:00

Pas thirrjes së Papës, Bambino Gesù, gati të kujdeset për Charlie-n


Pas thirrjes së Papës Françesku për vogëlushin anglez, Charlie Gard, Spitali Pediatrik i Vatikanit “Bambino Gesù” njoftoi se është i gatshëm ta shtrojë në repartet e veta foshnjën e prekur nga një sëmundje e rrallë, që mjekët anglezë e konsiderojnë të pakurueshme. Ofertë për ndihmë vjen edhe nga presidenti Donald Trump e nga një spital amerikan.

Spitali “Bambino Gesù” hap dyert për Charlie Gard

 Ati i Shenjtë Bergoglio kërkoi si dje, ashtu edhe javën e kaluar, të merret parasysh dëshira e prindërve të foshnjës 10-muajshe për ta shoqëruar të birin deri në fund. Duke hapur dyert e spitalit, presidentja e “Bambino Gesù”, Mariella Enoc, njoftoi se i ka kërkuar drejtorit shëndetësor të institutit të verifikojë me spitalin anglez, ku është shtruar Charlie, nëse ekzistojnë kushtet për ta transferuar në spitalin pediatrik të Selisë së Shenjtë. “E dimë se është rast i dëshpëruar – deklaroi – e se, sipas gjasave, nuk ka terapi për sëmundjen”, por, siç kujtoi Papa me tweet-in e së premtes së kaluar, “të mbrojmë jetën njerëzore, sidomos kur është e plagosur nga sëmundja, është impenjim dashurie, që Zoti ia beson çdo njeriu”. Ky është edhe misioni i spitalit.

Presidenti amerikan Trump, gati për të ndihmuar Charlie-n

Charlie prek edhe zemrat e SHBA-ve. “Nëse mund të ndihmojmë, do të ishim të lumtur ta bënim këtë”, shkruan në një tweet edhe presidenti amerikan, Donald Trump, duke iu përgjigjur kështu kërkesës së prindërve për të bërë deri në fund, gjithçka është e mundur për fëmijën e tyre. Vërtet, çifti ka mbledhur fonde për një terapi eksperimentale në SHBA-të. Ndërkaq, një spital amerikan, emri i të cilit nuk është përmendur, premton ta kurojë vogëlushin falas. Edhe vetë kryeministrja britanike, Theresa May, deklaroi se mendimet e saj janë të gjitha për foshnjën e për prindërit e tij, ndërsa në botë shumëfishohen lutjet për Charlie-n e vogël.








All the contents on this site are copyrighted ©.