2018-04-05 19:02:00

Papa Françesku bekoi shtatoren e shën Gregorit të Narekut në Vatikan


U përurua sot, në Kopshtet e Vatikanit, shtatorja e shën Gregorit të Narekut, me rastin e takimit të Papës Françesku me presidentin e Republikës së Armenisë, Serzh Sargsyan. Vetë Ati i Shenjtë kryesoi ceremoninë e bekimit të monumentit, me pjesëmarrjen e tre Patriarkëve: Karekinit II, Katolikos i gjithë armenëve nga selia e Eçmjaxhinit; Aramit I, Katolikos i selisë së Shtëpisë së Madhe të Cilicës; dhe Krikor Bedros XX, Katolikos patriark i Cilicës së armenëve katolikë. Shtatorja është realizuar nga skulptori armen David Erevanci, mbi bazën e modelit, dhuruar nga kreu i shtetit, Papës Françesku, gjatë udhëtimit apostolik të tij në Armeni, në qershor 2016.

 Ceremonia e bekimit zgjati një orë e secili u lut në gjuhën e vet. Papa Françesku, në italisht. Vijuan leximi i Ungjillit sipas Gjonit dhe i disa meditimeve të shën Gregorit të Narekut. Ati i Shenjtë i priti, para ceremonisë, të gjitha autoritetet e pranishme.

Ambasadori i Armenisë: shtatorja e shenjtit, simbol vëllazërimi

 Shenjë afërsie, në gjurmët e udhëtimit apostolik të Papës: me këto fjalë e komenton për Vatican News bekimin e shtatores, ambasadori armen pranë Selisë së Shenjtë, Mikayel Minasyan. Shën Gregori i Narekut, nënvizoi ai, është urë ndërmjet Lindjes e Perëndimit, simbol i ekumenizmit. Shtatorja është bërë në dy kopje prej autorit: njëra për Kopshtet e Vatikanit e tjetra për kopshtet e Katolikosatit të Eçmjaxhinit. Arti bëhet kështu mesazh vëllazërimi për të bashkuar Kishat simotra.








All the contents on this site are copyrighted ©.